Mario Balotelli është heroi i ri i Nice-s. Në pak ndeshje ai ka arritur të bëjë për vete tifozët me dygolësha dhe tani fansat po ia shpërblejnë duke blerë fanellën e tij. Sipas drejtorit të marketingut të klubit francez, Richard Elkaim, i cili ka dhënë një intervistë për radion “Rmc Sport”, Balotelli, brenda 20 ditëve, ka thyer rekordin e fanellave të shitura nga Nice.

“Në harkun e tri javëve, 20 ditë pune, kemi shitur 1600 fanella. Bëhet fjalë për një rekord për një lojtar të vetëm. Ka shitur trefishin në krahasim me javët e para të Ben Arfa. Në ditë të caktuara shiten 80/100 fanella, kemi parashikuar se gjatë harkuar të sezonit, do të shiten 15.000 fanella, ndërsa sezonin e kaluar kemi shitur 8.500. Porositë vijnë nga Italia, Anglia, Gjermania, Kina dhe Australia”.

Ndërkohë, duke parë numrin e madh të tifozëve që ka “Super Mario” në Itali, Nice ka vendosur ta përdorë profilin zyrtar të klubit në Twitter në gjuhën italiane.