Ministria e Kulturës ka lënë përgjysmë projektin për zbulimin e amfiteatrit të Durrësit. 15 muaj më parë nisi projekti i shpronësimit të banesave në pjesën jugore. Tri banesa u shpronësuan dhe u prishën duke u larguar nga arena në pjesën qendrore. Por 9 muaj nga mbyllja e këtij projekti, Ministria nuk ka lëvruar më asnjë fond për zhvillimin e projektit. Ledion Lako, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, deklaroi se projekti mbetet peng i lëvrimit të fondeve për shpronësimin e 9 objekteve, të cilat mbajnë peng një prej monumenteve kryesorë të trashëgimisë kulturore.
“Para 9 muajve nisi shpronësimi për tri objekte, të cilat gjendeshin në qendër të amfiteatrit dhe u prishën. Aktualisht me t’u çliruar fondi i shpronësimeve dhe të mbërrijë në degën e thesarit, drejtoria Rajonale do të nisë shpronësimet dhe prishjet e nëntë banesave, që kanë zënë Amfiteatrin. Qëllimi është që Amfiteatri të restaurohet dhe të gërmohet, për t’u zbuluar i gjithë arena e tij.
Këtë vit është rritur numri i turistëve nga Europa Perëndimore dhe SHBA-ja, por ka një interes shumë të madh edhe nga shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, për vizita në amfiteatër. Fundjava ka një numër të shtuar të vizitorëve vendas.Të shtunën edhe të dielën vizitorët nga qytete të ndryshme të vendit që drekojnë në Durrës, pas drekës planifikojnë e zhvillojnë vizita si në amfiteatër edhe në muzeun Arkeologjik”.
Zbulimi i arenës së Amfiteatrit të Durrësit nisi para fushatës elektorale të zgjedhjeve të 21 qershorit të 2015-s, dhe pasi përfundoi faza e parë, ky projekt është lënë në harresë nga ministrja e Kulturës Kumbaro, e cila aso kohe erdhi pothuajse çdo javë në Durrës. Prej përfundimit të zgjedhjeve, ministrja i harroi projektet dhe vizitat në qytetin bregdetar.
Amfiteatri i Durrësit, mbetet objekti më atraktiv e i vizituar nga turistët vendas dhe të huaj. Janë me mijëra turistë të huaj që para se të largohen nga Durrësi bëjnë edhe një vizitë në këtë objekt që përveç kërshërisë së madhe që ngjall, ka një histori të ashtë që prej periudhës Romake duke dëshmuar kështu qytetërimin 3 mijëvjeçar në Durrës.
K.H.





