Kampionati nis me humor. Një ngjarje e rrallë ka ndodhur gjatë ndeshjes së djeshme mes Sopotit dhe Apolonisë që u luajt në Fushë-Krujë. Histori e denjë për t’u rrëfyer si humor sportiv që vetëm ligat inferiore në Shqipëri mund të t’i afrojnë.

Ashtu si disa muaj më parë me qenin në shtëpinë ngjitur me stadiumin që u kthye në makth, Fushë-Kruja del sërish në skenë për ngjarje të rralla dhe qesharake njëkohësisht. Në minutën e 18-të, një mbrojtës i Sopotit largon fort topin që përfundon tek telat e linjës së tensionit të lartë që ndodhen shumë afër stadiumit duke shkaktuar masë elektrike. Kjo shkakton flakë në kabinë duke bërë që të ikin dritat në qytetin e Fushë-Krujës.

Në këtë mënyrë, qyteti ka mbetur pa drita për rreth një orë derisa punonjësit e OSHEE-së kanë riparuar defektin.