Vangjush Dako mbështet Flamur Gjuzin e LSI-së (VIDEO)

Si rrallëherë, kreu i bashkisë Vangjush Dako, ka marrë pjesë së bashku me kreun e ALUIZNI-t në shpërndarjen e lejeve të legalizimit. Siç shihet, ardhja e fushatës elektorale të 2017-s ka shtuar edhe konkurrencën midis forcave politike në bazë, në koalicion me njëra-tjetrën në qeverisje. Për të mos i marrë të gjitha meritat LSI-së, në procesin e legalizimeve Vangjush Dako iu thotë banorëve të zonave rurale të Durrësit në Manzë dhe Maminas se bashkia ka projekte shumë të mëdha investimi në vijim.

Me rastin e përfundimit të procesit të legalizimit për zonën e Manzës dhe Maminasit, drejtoria e ALUIZNI-t Durrës ka organizuar në fshatin Radë një aktivitet për shpërndarjen e lejeve për të gjithë banorët e zonës.

Drejtori i legalizimeve në Durrës Flamur Gjuzi, deklaroi se përfundimi i procesit të legalizimit në Maminas dhe Manzë erdhi si pasojë e punës së palodhur të stafit të ALUIZNI-t, i cili ka punuar me orare të zgjatura. Sipas Gjuzit, qeveria e mëparshme në tetë vite legalizoi në këto dy zona vetëm 20 objekte që shërbenin për biznes, ndërsa “brenda dy viteve ne përfunduam totalisht procesin e legalizimit në këto dy ish-njësi vendore”, tha Gjuzi.  

Manza dhe Maminasi i bashkohen Shijakut dhe Sukthit tashmë si zona formale, me proces të përfunduar të legalizimeve, ndërsa puna tashmë do të përqendrohet në qytetin e Durrësit, ku problem mbetet zona A dhe B e qytetit. Këto dy zona konsiderohen zona arkeologjike dhe ka ngrirë procesi i legalizimit.

K.H.