Erdhi në Shqipëri si korrier për të marrë paratë për 250 kg kokainë, por do të largohet drejt Spanjës me një dënim prej 15 vitesh. Bëhet fjalë për kolumbianin Cesar Augusto Triana, ndaj të cilit Gjykata ka diskutuar në seancë gjyqësore për transferimin e tij, ndërsa edhe vetë Triana ka dhënë pëlqimin për t’u larguar nga Shqipëria.

Dënimin e marrë nga drejtësia shqiptare, Triana do ta vuajë tashmë në Spanjë pasi është me origjinë kolumbiane por me shtetësi spanjolle, vend në të cilin ka rezidencën dhe familjen.

Korrieri i drogës qëndroi 20 ditë në Tiranë, ndërsa më 10 prill 2015, 24 orë pasi në Mal të Zi u sekuestrua droga për të cilën ai do të merrte paratë, tentoi të arratisej nga Rinasi dhe ku u prangos.