Çezare Bexhi u “tërheq veshin” sulmuesve të Teutës pas barazimit pa gola përballë Flamurtarit në Vlorë. Trajneri italian shprehet i kënaqur me rastet e krijuara nga skuadra, por kërkon më tepër nga reparti i avancuar që t’i shfrytëzojë ato. Për 46-vjeçarin është thjesht statistikë fakti që “Djemtë e Detit” ende nuk kanë shënuar në katër ndeshjet e para të kampionatit.

“Kjo është thjesht statistikë. Sot kemi krijuar shumë raste gjatë lojës, çka konfirmon formën e mirë të ekipit. Unë pres më tepër nga të gjithë. Lojtarët e afruar rishtas janë në rritje e sipër dhe duhet ta kuptojnë më mirë kampionatin. Megjithatë, nga sulmuesit priten edhe gola”, tha Bexhi.

Lidhur me objektivin e ekipit që ai drejton pas katër javëve të para, tekniku i durrsakëve deklaroi: “Në këtë moment është e vështirë të thuhet sa pikë do të kemi në fund të sezonit. Ne po bëjmë punën tonë duke krijuar stolin tonë të lojës. Shpresojmë që kjo lojë të na shpërblehet në vijim të kampionatit”.