Analisti Mustafa Nano duke komentuar situatën politike në vend shprehet se Kryeministri Edi Rama është i korruptuar dhe madje e etiketoi atë si “peng i banditëve delikuent”. Jo vetëm për Ramën, por Nano thekson se në Shqipëri e gjithë klasa politike është mafioze.
“Jam përfundimisht i bindur që ne kemi për kryeministër një njeri që është i korruptuar, dhe kjo nuk ka lidhje vetëm me ligjin mbi importimin e mbetjeve”, shprehet Nano.
Duke folur në studion e “Tema TV”, Mustafa Nano tha më tej se “Rama ka më shumë se një vit që ka demonstruar se situata i ka dalë jashtë kontrollit” dhe foli për një situatë dramatike në vend.
Analisti nuk sheh ndonjë zgjidhje për këtë situatë të krijuar, dhe i bën thirrje Partisë Socialiste që të largojë Kryeministri Edi Rama. Nano thotë se në të kundër Rama dhe Meta do të fitojnë sërish zgjedhjet dhe e gjitha kjo do të ketë një fund “shumë të keq”.
“Momentalisht për mua një lloj zgjidhjeje e kanë në dorë socialistët. Këta të fundit, nëse e kanë në dorë, duhet ta largojnë këtë kryeministër sepse, me çfarë unë shoh, ai nuk është më duke qeverisur. Qeverisja nuk është më në dorën e atij, të cilin shqiptarët e kanë zgjedhur për të qeverisur, qeverisja është në dorën e tjetër kujt”, u shpreh Nano.
“Unë e di që është e zorshme t’ia arrijnë qëllimit, jam i sigurtë gjithashtu se Edi Rama, bashkë me Ilir Metën, do dalin fitues në zgjedhjet e ardhshme, sepse përballë kanë partinë e banditit delinkuent, por ky nuk ka për të qenë një lajm i mirë. Për askënd. Mirëpo fundi i atyre ka për të qenë i keq. Prandaj mendoj se është jo vetëm në interesin e socialistëve, por edhe të vetë Edi Ramës, të shqiptarëve po se po, që Edi Rama të bëhet mënjanë, t’u hape rrugën ca të tjerëve, që janë aty brënda Partisë Socialiste. Ai nuk ka se çfarë të na ofrojë më. Kjo do ishte një zgjidhje shumë e mirë për momentin.”- perfundoi ai.





