Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Greqi, ku trupi i një foshnje 9-muajshe është gjetur i ngrirë brenda një valixheje. Sipas medieve greke, ngjarja ka ndodhur në Athinë, teksa rasti po trajtohet si vrasje pasi në trupin e foshnjës u gjetën 10 plagë të shkaktuara me thikë, në madhësi të ndryshme.
Nën akuzë për krimin tashmë janë vendosur një burrë grek 43 vjeç, i cili dyshohet se është babai i foshnjës, një grua gjermane, nëna e dyshuar, dhe një burrë afgan 25 vjeç. Ata jetonin në një pallat në lagjen “Kypseli” të kryeqytetit grek, së bashku me tre fëmijë të tjerë, një vajzë 15-vjeçare dhe dy djem, 9 dhe 12 vjeç. Asnjë nga të arrestuarit nuk ka shpjeguar situatën në të cilën është gjetur foshnja, me familjen që thotë se ai ka lindur në një maternitet, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Babai i fëmijës raportohet se ka thënë që në maternitet u kishin ndërruar foshnjën, duke u dhënë një tjetër fëmijë, që ai e përshkruan si “të keq”. I mituri sipas tij qante shumë dhe kjo kishte rënduar gjendjen e bashkëshortes. Ai madje citohet të ketë thënë se në shtëpi ra më në fund qetësia kur fëmija vdiq.
“Foshnja qante vazhdimisht dhe gruaja ime ishte e trishtuar. E ndërruan në maternitet dhe na dhanë një tjetër që ishte e trishtuar dhe sapo vdiq, shtëpia jonë u qetësua”, thuhet se i tha ai policisë.
Ngjarja rëndohet më shumë pasi vajza 15-vjeçare që u gjet në apartament është gjithashtu shtatzënë. Po ashtu, gruaja gjermane, dhe të gjithë fëmijët rezultojnë të jenë të infektuar me sëmundjen veneriane, një infeksion që merret përmes kontaktit seksual. Burime policore thanë se në apartamentin në Kypseli u gjetën edhe valixhe me objekte seksuale, ndërsa tre fëmijët ishin transferuar në Spitalin e Fëmijëve në vitin 2025, pasi ishin parë duke ecur vetëm dhe të pashoqëruar në rrugë.
Mediat greke kanë nxjerrë dhe informacione për të shkuarën e burrit grek, që dyshohet si babai i foshnjës. Sipas “Protothema”, 43-vjeçari ka qenë i dënuar më herët, nën akuzë për prostitucion. Në vitin 2020, një grua gjermane e denoncoi në polici, duke pretenduar se ai e mbante të mbyllur në një apartament dhe e shfrytëzonte për prostitucion.
Gruaja tregonte se me 43-vjeçarin ishte takuar në rrjetet sociale dhe mes tyre nisi një marrëdhënie intime. Pasi ajo shkoi të jetonte me të, nisi dhuna, presioni dhe marrja peng. Ai nuk e lejonte të dilte nga shtëpia dhe e detyronte të prostituonte. Pas zbardhjes së rastit, 43-vjeçari u dënua me burg, por u lirua menjëherë në tetor të vitit 2020.





