Kreu i Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia ka kundërshtuar rregulloren e re të GJKKO-së, ku preken dhe avokatët përveç mediave. Në rregullore thuhet se avokatëve u ndalohet që të përdorin telefonin gjatë seancave gjyqësore. 

Avokati Haxhia e ka cilësuar atë si një kufizim të hapur të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të së drejtës së mbrojtjes. Haxhia bëri të ditur se Dhoma e Avokatisë i është drejtuar titullarit të gjykatës dhe pret një përgjigje në ditët në vijim, por paralajmëroi se çështjen do ta cojne edhe ne gjykate.

“Lidhur me këtë rregullore që ne e kundërshtojmë, në radhë të parë ndihemi të ofenduar që përgatitet një akt i tillë që kufizon haptazi të drejtën e mbrojtjes për të ushtruar profesionin e avokatit në sallat e gjyqit. Ajo që është kryesorja, prisnim që të paktën të konsultohej me Dhomën e Avokatisë. Edhe pse nuk ishim optimist sepse është një trajtim në vazhdimësi që i bëhet Dhomës. Me keqardhje konstatojmë se nuk ka një ambient ku avokatët të rrinë gjatë seancave. Kjo tregon vlerësimin që ka ky institucion për Institutin e avokatisë.

Rregullorja në 3 nene kufizon përdorimin e celularit në sallën e gjyqit, jo në aspektin për të folur, por për të punuar dhe administruar dhe sjellë në dobi të ushtrimit të avokatit. Kjo bie ndesh me stadin e jetës së shoqërive në mbarë botën, ku elektronika është një ndihmë e madhe. Celulari është një studio lëvizëse e jona, e kemi mjet pune. Dhoma e Avokatisë funksionon me struktura. Ne po presim këto ditë një reagim në përgjigje të kërkesës që i kemi bërë titullarit të gjykatës dhe pastaj në fundjavë do mblidhet komiteti drejtues për të përcaktuar qëndrimet e mëtejshme. Qëndrimi jonë është i unifikuar me qëndrimin e medias. Ne do ta çojmë edhe në gjykatë për ta goditur edhe në rrugë gjyqësore”, tha Haxhia.