Ndërsa rastet e dhunës në familje janë një fenomen thuajse i përditshëm në komunikatën e policisë së Durrësit, ai i dhunës nga të panjohur është fakt i çuditshëm.

Dhe kështu është ndjerë një 40 vjeçar, banues në Qerret, kur është goditur me çantë nga një i panjohur në mes të ditës në lagjen nr.8 të Durrësit.

Nga goditjet, 40 vjeçari H.G. ka marrë lëndime të lehta. Ai e ka denoncuar rastin në polici, por nuk ka ditur të japë informacion të hollësishëm për agresorin, sepse për të ai ishte tërësisht i panjohur.

Nisur nga deponimi i dhënë në polici nga 40 vjeçari, policia ka nisur punën për të zbardhur identitetin dhe për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Ndërkohë, policia ka plotësuar një ditë më parë kërkesë-padinë për lëshimin e Urdhërit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasin Xh.L, vjeç 74, pasi dyshohet se djali i tij, M.L, vjeç 41, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj tij.