*Parlamenti miraton importin, qyteti kutërbon 24 orë në ditë nga plehrat…

Një ditë më parë parlamenti vuri vulën me miratimin e ligjit për importin e mbetjeve të riciklueshme në vendin tonë. As zëri kundër i qytetarëve dhe atyre pak ambientalistëve, nuk tërhoqi ligjin mbrapsht.

Por çfarë po ndodh në Durrës?

Durrësi është kthyer në një pocaqi të madhe, në një tualet të madh publik për shkak të mbetjeve urbane. Në çdo kanal të hapur, që fatkeqësisht janë shumë, në rrugë, e në çdo ambient publik, duke përjashtuar qendrën tradicionale, mbetjet urbane kutërbojnë erë. Akoma edhe më keq është në fushën prej 40 hektarësh ku po depozitohen çdo ditë 50 tonë mbetje. Aty fusha është kthyer në një banjë, dhe era kanceroze e plehrave që digjen dhe atyre që dekompozohen, është dert i madh për këtë qytet e këta banorë gojëkyçur.   

Një katastrofë e vërtetë ekologjike, vetëm 7 km larg prej bashkisë, në fushën e Porto- Romanos. Në një sipërfaqe prej 40 hektarësh, depozitohen çdo ditë rreth 50 tonë mbetje urbane të ndryshme. Sasia e plehrave digjet në natyrë të hapur duke çliruar çdo ditë gaz karbonik, i cili u zë frymën jo vetëm banorëve të Porto- Romanos, por të gjithë qytetit bregdetar.

Banorët kanë protestuar e kanë ngritur zërin me mijëra herë për këtë problematikë të pazgjidhur as në kohën e PD-së dhe as në Qeverinë socialiste. Protestë zhvilluan edhe studentët e kampusit universitar sepse tymi i plehrave qëndronte në dritaret ku ata merrnin leksione. Banorët paguajnë taksa për pastrimin- gjelbërimin, por zgjidhje nuk i është dhënë ndërtimit të një landfilli.

Pallavrat e pushtetarëve në vite, dhe as premtimet elektorale sot, nuk pinë ujë, e nuk mund të zënë më diellin me shoshë. Shqipëria do të importojë plehra për riciklim, e plehrat e saj u kanë zënë frymën banorëve.  

Tani Bashkia e qeveria janë të një kampi politik, por zgjidhje i kanë dhënë vetëm importit të mbetjeve të riciklueshme, ndërsa këto që janë në Durrës, e kanë kthyer qytetin në pocaqi të madhe.

Nga ajo çfarë shikohet me sy të lirë, fusha e plehrave në Durrës është tejmbushur e gjitha dhe për të hapur sadopak vend, për shkarkimin e sasive të reja çdo ditë, plehrave u vihet zjarri. Përgjatë orëve të natës një re tymi përfshin të gjithë qytetin, ndërsa në mëngjes njerëzit zgjohen me shije të hidhur në gojë, për shkak të dioksidit të karbonit, që mijëra banorë thithin nga djegia e mbetjeve urbane. 

Nga plehrat çlirohet në ajër karbon, hidrogjen, azot, squfur, etj lëndë si këto. Nga emërtimet e tyre dalin veçanërisht oksidet e azotit dhe gazra sulfurorë. Si pasojë e djegies së plastikës, çlirohen në atmosferë gazrat më helmues për popullatën, ekuivalente me gazrat e llojit nervin, lëndë e cila përdoret në ushtri si armë kimike. Pesticidet, plehrat që digjen dhe detersivët që derdhen vazhdimisht në det, i sheh në çdo kohë në një distancë fare të afërt me plazhet e Porto-Romanos dhe të Bisht-Pallës. Vetëm dy kilometra larg plehrave që digjen, natyra e Porto-Romanos dhe e Bishtit të Pallës “lëngon” nga një tjetër plagë e pashërueshme deri më tani. Nga Hidrovori i Durrësit derdhen në Adriatik tonelata të tëra me lëndë helmuese. Në mungesë të një depuratori, bashkë me ujërat e zeza të Durrësit dhe rrethinave të tij në det zbrazen çdo ditë sasi tejet të larta kimikatesh me pasoja të rënda për florën dhe faunën detare dhe tokësore.  Këto kimikate vazhdojnë të derdhen të papërpunuara në det.

A ka fjalë më shumë, teksa goja e mendja të bllokohen nga era e rëndë e plehrave? A kanë më fytyrë tu dalin përpara banorëve, por me çfarë premtimi,  për problemin më të madh mjedisor në fushatën e ardhshme elektorale këta palaço qeveritarë?

Durrësin e gënjyen që prej Gaz Bizhgës, deputet i asaj zone, Ferdinant Xhaferrit deputet e ministër dalë nga ajo zonë, Vangjush Dakos tre herë kryetar bashkie, dhe të gjithë politikanëve të tjerë që pasi kanë rrëmbyer votën, kanë hedhur në plehra edhe premtimet që dhanë.

Përtej premtimeve të tyre qesharake, dëshmi është Porto- Romano, janë plehrat, janë banorët e varfër të zonës, që t’i numërojnë me gishta një e nga një të gjithë politikanët që i kanë mashtruar me premtimin se plehrat nuk do të kutërbojnë më aty.

Ky është turpi i klasës qeverisëse në Durrës, i këtij qyteti të bukur,që në mushkërinë e tij djeg plehrat e kutërbon.

Këto mbetje janë pasqyra ku çdo ditë duhet të shohin veten të gjithë ata që na kanë drejtuar e vijojnë të na drejtojnë në vite, për të parë, ku po e çojnë qytetin tonë turistik, këtë që shumë qytetarë e duan, e nuk kanë braktisur kurrë.

Sa projekte sa takime, sa seminare janë zhvilluar në vite, aq para sa janë shpenzuar duke u vjedhur nga qeveritarë e OJQ-të për këto projekte në letra, diçka duhet të ishte bërë. Por asnjë prej këtyre qeveritarëve e këtyre punonjësve të OJQ-ve, nuk ka shkuar kurrë t’i shikojë me sy atë pocaqi që po helmon durrsakët dhe të gjithë mjedisin e Durrësit.  

Në këtë fushë ka lindur domosdoshmëria për zgjidhje afatgjatë. Mënyra e vetme mbetet riciklimi i lëndëve si plastika, karta, metalet, vajrat etj. Ngritja e impianteve për riciklimin e mbeturinave do të punësonte njerëz, do të ulte ndotjen, do ta bënte turizmin më tërheqës dhe mbi të gjitha do të përmirësonte cilësinë e ajrit që thithin gjysmë milion banorë.  

*Opinion