Kombëtarja shqiptare në ankth vetëm dy javë përpara ndeshjes kualifikuese me Lihtenshtejnin, më 6 Tetor dhe sfidës me Spanjën më 9 Tetor. Dy titullarë të skuadrës së Gianni De Biasit janë dëmtuar. Bëhet fjalë për sulmuesin kryesor të skuadrës, Armando Sadiku dhe mesfushorin Burim Kukeli.Të dy futbollistë që militojnë te Zurich në Challenge League zvicerane. Sadiku u dëmtua në gju prej minutës së 12-të të duelit që skuadra e tij fitoi 3-0 me Servetten, gjatë një dueli me portierin kundërshtar, ku arriti ta dërgonte topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.Nga goditja e marrë sulmuesi e kishte të pamundur të qëndronte në fushë dhe në të 17-ën u zëvendësua. Stafi mjekësor në klubin e Zurich do të zhvillojë kontrolle të specializuara, për të vlerësuar shkallën e dëmtimit, ndërsa në Shqipëri të gjithë presin me ankth diagnozën e mjekëve.

Në anën tjetër, Kukeli, që ishte protagonist me një asist të shkëlqyer në golin e dytë të sfidës, u zëvendësua në minutën e 80-të, pas një dueli në mesfushë, nga i cili e kishte të pamundur të vazhdonte lojën. Sadiku dhe Kukeli janë dy elementë tejet të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare.Elbasanasi është kthyer në sulmuesin kryesor të ekipit kuqezi, duke shënuar me mesatare mbresëlënëse, ndërsa Kukeli vlerësohet për punën përpara mbrojtjes, në organizimin e lojës së skuadrës. Shqipëria pret lajme nga Zvicra me shpresën se dy titullarët do të jenë gati për sfidat e radhës në kualifikueset e Botërorit 2018.