Zbardhen të tjera detaje sesi funksiononin gjërat në punishten e përgatitjes së hashashit në Ishëm, Durrës. Hetuesit kanë marrë në pyetje shoferin e furgonit A. Ll. dhe 13 punëtorët. Ata janë shprehur se paguheshin 2 mijë deri në 3 mijë lekë të reja në ditë për tharjen e kanabis sativës. Me urdhër të prokurorit të gjithë janë lënë të lirë, ndërkohë procedim penal ka nisur vetëm për shoferin.

Nga dëshmitë e marra është mësuar edhe emri i personit që i kishte punësuar, i cili rezulton banor i një fshati tjetër. Nisur nga rrethanat, hetuesit dyshojnë se bima është kultivuar në këtë zonë të Ishmit, e konsideruar njollë e nxehtë nga policia.

Droga është kapur 50 minuta larg prej pistës ku u gjet avioni Piper të enjten e shkuar. Personi i cili ka rezultuar pronari i banesës jeton në fshatin Kërtushaj, pak minuta larg prej pistës së improvizuar për ulje avionesh.

Banesa është në pronësi të Besmir Agasit, nga fshati Kërtushë i Ishmit. Në të dy katet e banesës vihet re që punëtorët kanë punuar për tharjen e bimës narkotike. Gjurmët janë të freskëta. Çdo dhomë ka shërbyer për t’u tharë bima narkotike. Në katin e parë vërehet lehtësisht ndërhyrja e policisë. Janë shkulur telat nga dhomat ku thahej bima narkotike. Në fillim të shkallëve që gjenden në qendër të shtëpisë qëndrojnë dy filxhanë kafeje, ndërsa kafeja e bluar është derdhur. Një bluzë burri, duhan dhe buka që ka mbetur e papërfunduar mbeten në fund të shkallëve. Duke u ngjitur në katin e dytë të banesës vëren se janë dy shtretër dhe disa batanije. Shtretër që duket se kanë shërbyer për rojet e kanabisit. Çdo dhomë është vënë në shërbim për tharjen e bimës narkotike.

Interesant është fakti qe buka është lënë në gjysëm, ashtu si edhe dy filxhanë kafeje. Punonjësit ose rojet mund të jenë lajmëruar nga dikush, ose janë arratisur në pyll, pasi parë makinat e policisë që u ngjitën në kodër, nga banesa ku vërehet gjithçka me sy të lirë. Policia nuk ka mundur dot të arrestojë asnjë person në flagrancë. Pronari i banesës, i cili e ka ndërtuar këtë shtëpi kohët e fundit, nuk është gjetur as në shtëpinë që ka në fshatin Kërtushaj.