Ndryshe nga një sezon më parë, këtë vit starti i Teutës në Kategorinë Superiore nuk është aspak pozitiv. Për një gjë të tillë është koshient edhe trajneri Çezare Bexhi, i cili ka pak kohë në krye të durrsakëve. Në një intervistë tekniku është i bindur se fitoret do të vijnë shumë shpejt, por duhet vetëm pak durim.

Një pikë në tri javë është shumë pak për Teutën…

Ne në Itali kemi një shprehje: “Kali i shpejtë shihet në finish dhe jo si e nis garën”. Me këtë dua të them që starti nuk është i mirë, por duhet parë se si do të jetë vijimësia dhe fundi i kampionatit. Çdokush dëshiron në tri ndeshje tri fitore, por kjo nuk është arritur. Ne po punojmë fort dhe di të them që kjo skuadër ka ndryshuar në mënyrën e të luajturit.

Në çfarë drejtimi, pasi sezonin e kaluar Teuta ishte një ekip që luante hapur dhe merrte rezultate…

Nuk po them që sezonin e shkuar luante keq, por ne kemi një filozofi tjetër loje, duam që të bëjmë lojë të bukur, por dhe të marrim rezultat. Fatkeqësisht, në këto tri javë nuk kemi arritur të marrim fitoren e parë, por duhet pak durim dhe jam i bindur se ecuria e ekipit do të jetë e kënaqshme.

Gjithashtu nuk është shënuar ende goli i parë…

Në fakt, duhet të kishim shënuar disa gola, pasi në të tria ndeshjet kemi krijuar raste të pastra. Në përballjen me Tiranën ishin dy gola të sigurt, në atë me Kukësin, edhe pse në pjesën e parë vuajtëm, në të dytën luajtëm shumë mirë. Sa i përket sfidës së fundit me Partizanin, mund të them se kundërshtarin e mbyllëm në mesin e fushës së tij.

Sa keni arritur ta njihni ekipin dhe kundërshtarët?

Ndoshta ky është problemi kryesor. Unë po bëj një punë që duhet ta kisha filluar që në muajin korrik. Më duhet kohë të njoh ekipin, që të marr më të mirën nga djemtë që kam në dispozicion, por në kaq pak kohë më duhet dhe të studioj kundërshtarët. Pra nuk mund të bëj mrekullira. Unë po bëj detyrën time së bashku me djemtë që çdo gjë të shkojë në vendin e vet.

Por, ekipi është pothuajse ai i një sezoni më parë…

Të gjithë thonë këtë, por unë ju them jo. Kanë ikur futbollistë si Lena, Xhonatan, apo edhe Lukiç. Kemi marrë në mesfushë Tarik, por është i gjithi për t’u zbuluar apo dhe një mbrojtës krahu që kroson dhe ndihmon ekipin. Me këta djem që kam në dispozicion do të mundohem të bëj më të mirën.

A e ndieni presionin e mungesës së rezultateve?

Të them jo, nuk do të tregohesha i sinqertë, por duhet pak durim nga të gjithë, pasi skuadra ka treguar që po rritet dhe ka volum loje. Kështu që rezultatet do të vijnë. Është njësoj sikur të marrësh tri fitore në fillim e të humbasësh tri të tjera dhe pikët janë po nëntë dhe e kundërta. Drejtuesit kanë një projekt dhe ne do ta çojmë deri në fund dhe me sukses.

Por, në futboll ato që kanë rëndësi janë pikët, apo jo?

Nëse një trajner shikon vetëm pikët, atëherë është një financier i mirë jo një trajner i mirë. Duhet parë në tërësi dhe jo vetëm me pikë, edhe pse në fund shihet renditja. Por nëse gjërat shkojnë siç duhet në të gjitha drejtimet, pikët bëhen dhe më të bukura.

Takimin e radhës në kampionat e luani ndaj Flamurtarit që ka në stol Maganin. Ai e njeh mjaft mirë ekipin, madje gjysmën e ekipit e bëri pjesë të Teutës. Ju shqetëson ky fakt?

Është një problem kur kundërshtari të njeh shumë mirë ekipin, por unë kam besim te futbollistët, që do t’i tregojnë ish-trajnerit të tyre që nuk ka gabuar që u ka besuar. Kam besim se lojtarët e mia do ia dalin edhe pse trajneri i njeh mirë.

Cili është objektivi i Bexhit te Teuta?

Ta njoh siç duhet ekipin, të marr rezultate sa më pozitive dhe fundi të jetë i kënaqshëm. Nuk mund të jap një objektiv në tri javë kampionat dhe kur nuk kemi marrë akoma një fitore, ne do të japim më të mirën tonë. Ju siguroj që në fund do të flasim ndryshe për këtë Teutë. Kam besim te djemtë dhe te projekti që kanë drejtuesit me në krye presidentin.