Nuk arrinte ta pranonte fundin e lidhjes 13 vjeçare mes tyre dhe për këtë kërcënonte me vdekje ish-të fejuarën. Kur një rumune 35-vjeçare vendosi të ndahej 3 muaj më parë nga një shqiptar, moshatar me të, ky i fundit humbi komplet logjikën dhe bëri gjithçka që t’ia kthente jetën në ferr.

Rasti në fjalë është publikuar në mediet italiane, të cilat tregojnë se shqiptari i telefonte shpesh, i dërgonte mesazhe kërcënuese, madje ushtronte presion edhe mbi familjen e saj dhe miqtë.

Xhelozia e tij e ‘sëmurë’ kishte arritur deri aty, sa kishte takuar pronarin e rumunes për t’i kërkuar ta pushonte nga puna.

“Nëse nuk kthehesh me mua, do të blej një pistoletë dhe do të bëj masakër”, kishte shkruar ai në një mesazhet e shumta dërguar ish të dashurës.

“Nëse del me ndonjë tjetër, kjo do të jetë gjëja e fundit që bën”, është një tjetër mesazh dërguar 35-vjeçares.

Rumunia ka bërë denoncim në policinë e Cologne për kërcënimet e ish-të dashurit. Hetimet e karabinierëve çuan në mbledhjen e mjaftueshme të provave për të arrestuar shqiptarin, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurisë së arrestit me burg.