Klubi suedez, AIK ka provuar një iniciativë të re kësaj fundjave, kur anëtarët më të vjetër në moshë të këtij klubi, kanë hyrë në fushën e futbollit si maskota para ndeshjes së vlefshme për kampionat ndaj Gefle IF. Të moshuarit e klubit kanë zëvendësuar maskotat e përhershme, me ish-presidentin e UEFA-s dhe presidentin e nderit të AIK, Lennart Johansson, që udhëhiqte rrugën.
Kjo ide vjen si pjesë e një fushate për të promovuar uljen e çmimeve të biletave dhe sigurimin e transportit falas për të moshuarit nga azili drejt stadiumit dhe anasjelltas.
Johansson, i cili udhëhoqi ecjen drejt fushës bashkë me të moshuarin tjetër, mik të tij në rolin e maskotit të ekipit, deklaroi: “Ka shumë prej nesh të cilët kanë jetuar për gjatë të gjithë jetës me AIK, por që tashmë për arsye të ndryshme nuk mund të vijnë dot në stadium në ditët e sotme. Kjo nuk do të thotë se ne nuk na intereson më ky klub. Thjesht mbase e kemi më të vështirë të udhëtojmë dhe të sillemi vërdallë në këtë moshë”.
Presidenti i klubit AIK, Mikael Ahlerup, u shpreh: “Sektori ynë familjar, prej një kohe të gjatë tashmë është më i madhi në Suedi dhe është shumë e rëndësishme për ne që të afrojmë me klubin fëmijët dhe të rinjtë, por nuk mundet kurrë që të harrojmë gjeneratën që e ka bërë këtë klub, ky që është sot. Ja pse kjo iniciativë u ndje si diçka e detyrueshme për tu bërë. Një familje duhet të konsistojë në të rinj dhe të moshuar dhe sot ne e plotësuam familjen tonë duke ftuar dhe celebruar të moshuarit. Jam krenar që jam pjesë e një klubi kaq gjithëpërfshirës”.





