Gjatë ndeshjes Teuta – Partizani, jo çdo gjë u pa në transmetimin televiziv. Më poshtë sjellim pikantet e takimit të javës së 4-t të Kategorisë Superiore.
-Ndryshe nga dy ndeshjet e mëparshme, dy trajnerët italianë të skuadrave u prezantuan me veshje serioze. Në javën e dytë Sormani dhe Bexhi mbajtën veshur edhe nga një jelek stërvitor, ku më shumë ngjanin si fëmijët që mbledhin topat jashtë fushe, sesa trajnerë.
-Pas dëmtimit të Filit, topin e merr Kotobelli, i cili niset në kundërsulm dhe tifozët bërtisnin që të ecte, por mbrojtësi durrsak e nxjerr topin jashtë për t’i ardhur në ndihmë sulmuesit të Partizanit.
-Trajneri i Partizanit dhe stafi kërkojnë ndërrimin e tretë, por arbitri i katërt nuk kishte gati tabelën për të zëvendësuar Jaupaj me Torasën që ishte jashtë fushe.
-Si rrallëherë në ndeshjet ndërmjet Teutës dhe Partizanit ka pasur duartrokitje në fund të ndeshjes, por edhe gjatë saj nuk ka pasur asnjë sharje, siç ka ndodhur më parë.
-Tifozët kryeqytetas e kanë mbështetur gjatë gjithë ndeshjes ekipin, por në momente të caktuara ata kanë thumbuar edhe këshilltarin e presidentit, Starova, me të cilin kanë pasur një polemikë të hapur publike në ditët e fundit.
-Pas pësimit të golit të dytë, tifozët durrsakë të irrituar u shprehën: “A ku je Gash Magani?”
-Një grup tifozësh durrsakë kanë takuar sulmuesin e Partizanit, Ekuban, edhe pse ky i fundit shënoi golin që mbylli takimin.





