Policia Rrugore e Durrësit ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e qarkut, duke përdorur dronë, radarë dhe makina inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut gjatë fluksit të shtuar të sezonit veror.

Gjatë periudhës 24-31 gusht 2026, janë arrestuar 8 drejtues mjetesh, ndërsa 5 të tjerë janë proceduar penalisht, për drejtim të parregullt të mjeteve dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Nga monitorimi dhe kontrollet e kryera, policia ka vendosur gjithsej 1621 masa administrative. Pjesa më e madhe e tyre, 965 masa, janë vendosur për tejkalim të shpejtësisë së lejuar.

Ndërkohë, janë evidentuar edhe:

  • 518 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar;
  • 44 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;
  • 41 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
  • 30 masa për parakalime të gabuara;
  • 23 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.

Policia Rrugore e Durrësit bën me dije se kontrollet do të vijojnë në akset urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur teknologjinë dhe mjetet bashkëkohore për rritjen e sigurisë rrugore.