Njihet gjerësisht si një nga rrugët më të frekuentuara në Durrës, kjo për faktin se aty është një nga lagjet kryesore të qytetit dhe për prezencën e madhe të lokaleve dhe restoranteve luksoze.

Një fakt tjetër është se në këtë zonë janë të përqendruara disa nga sitet më të rëndësishme arkeologjike dhe historike të qytetit bregdetar si Amfiteatri, Muzeu Arkeologjik, Muret Bizantine, Torra Veneciane etj, mjaft të vizitueshme nga çdo turist që shkel në Durrës.

Por pamjet e dërguara sot në redaksinë tonë tregojnë qartë se sa larg është ky aks i rëndësishëm nga imazhi i vërtetë që duhet të përcjellë realisht.

Banorët e lagjes nr.1 janë izoluar pasditen e sotme në shtëpitë e tyre, pasi ata që do të udhëtonin në këmbë duhet të vishnin çizmet apo të përvishnin pantallonat, ndërsa ata që kishin parkuar makinat aty luteshin që reshjet të pakësoheshin për të mos u dëmtuar uji automjetet.

Ata që fati i keq i çoi ta përshkonin këtë aks ecnin me kujdes duke shpresuar se do t’ia hidhnin paq e do të shpëtonin pa iu fikur makina.

Në kohët e Dyrrahut të lashtë kjo lagje ka qenë elitare për vetë praninë e objekteve të shumta arkeologjike që historikisht janë ndërtuar në të.

Në ditët tona vazhdon të mbetet elitare, me ndërtimet shumëkatëshe dhe investimet shumë milionëshe, por me një ndryshim mjaft thelbësor përmbytet nga uji dhe ujërat e zeza sa herë bie shi.

Mesa duket njerëzit antikë kanë qenë shumë më profesionistë në punën e tyre, sesa projektuesit, ndërtuesit dhe inxhinierët e sotëm…