Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur gjatë natës së të shtunës duke u gdhirë e dielë Manhatanin në Nju Jork.

Mediat flasin deri tani për të paktën 29 persona të plagosur. Shpëthimi ndodhi në Chelsea, pranë Manhattan në orën 20.30. Një bombë e dytë u gjet e pashpërthyer disa blloqe banesash më larg vendit, ku ndodhi shpërthimi i parë. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill De Blasio tha se ky ishte një akt i qëllimshëm.

Duke folur gjatë një konference për shtyp në afërsi të vendit të shpërthimit, ai tha se çfarëdo që ka ndodhur, qytetarët nuk do të frikësohen.

“Tani unë dua të jem i qartë, çfarëdo shkaku, çfarëdo qëllimi të ketë ky shpërthim, njujorkezët nuk do të frikësohen dhe nuk do të lejojnë askënd të na ndryshojë çfarë jemi apo si ne jetojmë”,ka deklaruar de Blasio.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë shpërthimin që ndodhi në një lagje të pasur të Nju Jorkut.