Me qetësinë e seriozitetin që e karakterizon pas 43 vjetësh punë, mbylli derën e zyrës së drejtorit të shkollës, e pa me vëmendje ambientet duke zbritur poshtë. Hodhi sytë për herë të fundit mbi godinën e shkollës së re, e mbylli për herë të fundit portën e hekurt të shkollës me mbi 1 mijë nxënës, dhe mori biçikletën e ngau, veprim që ka një jetë që e kryen.
Hodhi pas shpatullave 43 vjet në arsim, dhe tani e pret një jetë e re, me më shumë qetësi, e më pak angazhime. Ka dalë në pension pas 43 vjetësh në arsim, 35 prej të cilëve si drejtues shkollash. Është mësuesi dhe edukatori i nderuar në breza, Shkëlqim Ceci, i cili ndau me publikun nëpërmjet “DurrësLajm”, emocionet e daljes në pension pas një pune të gjate e të palodhshme duke edukuar dhjetëra breza të rinjsh. Pas daljes në pension do të çlodhet, është prind i 7 fëmijëve, është gjysh i lumtur, është kryefamiljar, dhe kohën pas daljes në pension do t’ua kushtojë pikërisht nipërve e mbesave e familjes, gjë të cilën e ka pasur të kushtëzuar në gjithë jetën e tij. Ka shumë kujtime që vrullshëm i vijnë në mendje, teksa analizon jetën e rrjedhur në vite, prej kur ishte nxënës dhe kur mori emërimin si mësues në 1973-shin, në gjimnazin “Shefqet Guza”, ku edhe kish mësuar vetë. Në këtë gjimnaz u bë koleg me mësuesit prej të cilëve kishte marrë mësimet e para në jetë. Një vit më pas rikthehet në fshatin Lenije të Gramshit, vendlindja e tij, si zëvendësdrejtor e më pas drejtor shkolle.
Ka një numër të madh falënderimesh për të bërë, që prej mësuesit të tij të parë,e të gjithë profesorëve e mësuesve me të cilët ka bashkëpunuar. Koco Sulioti, drejtori i parë i shkollës ku shkoi është edhe prijësi i tij në vitet e arsimit. Drejtues në disa shkolla për 35 vjet, profesori ka lënë gjurmë në formimin e shumë brezave, si edukator shembullor, dhe njëherësh si drejtues vizionar. Stafeta e drejtimit të shkollës iu besua mësueses së vjetër Pashke Marku, në një ceremoni të thjeshtë ku mori pjesë drejtoresha e Arsimit Lindita Muka dhe personeli i arsimit. Te profesori Shkëlqim Ceci, janë parë edhe lotët e emocioneve të daljes në pension në këtë fillim viti arsimor. Falënderimet për arritjet që ka kjo shkollë i shkojnë të gjithë stafit pedagogjik, dhe bashkëpunimit të ngushtë e ta, për të arritur rezultatet më të mira.
Në 1988-n, së bashku me përfaqësues të pushtetit vendor, Shkëlqim Ceci dekorohet nga Ministria e Arsimit “Mësues i dalluar”. Puna tij ka spikatur në të gjitha shkollat prej Gramshit e deri në Durrës ku punon prej vitesh. Ka ndërtuar kabinetin e Biologjisë dhe laboratorin e Kimisë në shkollën e re të Kënetës, model për të gjitha shkollat në rang vendi. Shkëlqim Ceci është dekoruar edhe me medaljen “Naim Frashëri”. Ky ishte një tjetër vlerësim shumë i merituar për të. Në vitin 2008 është shpallur mësues i vitit. Ndryshimet demokratike e gjejnë inspektor në seksionin e Arsimit të Gramshit dhe që andej mësues në gjimnazin “Shefqet Guza”. Transferimi erdhi për shkak të klimës politike, e cila jo gjithnjë ka marrë në konsideratë meritat dhe përkushtimin si në rastin e mësuesit Shkëlqim Ceci, i vlerësuar nga të gjithë.
Ceci ka shtatë fëmijë: pesë vajza dhe dy djem, pesë prej të cilëve kanë përfunduar universitetin. Në çdo shkollë ku vajti çdo gjë nga e para, pa pushim dhe me shumë këmbëngulje për ndërtimin e kabineteve dhe mjediseve praktike për mësim. Detyra e drejtorit në shkollën e Kënetës e vendos përballë kërkesave të reja. Bashkë me komunitetin e mësuesve dhe nxënësve rinis punën për ngritjen e kabinetit të Kimisë, Biologjisë, Fizikës, Informatikës, sallën e veprimtarive “Shkolla qendër komunitare”, mjedisin sportive dhe palestrën e shkollës. Disa shoqata humanitare dhe organizata joqeveritare afrojnë bashkëpunim dhe në pak vite shkolla merr vizion të plotë. Ai thekson se me drejtoreshën e Arsimit në qark Lindita Muka, pati gjithnjë mirëkuptim në realizimin dhe investimin e shumë projekteve, ndërsa vlerëson ndihmën nga bashkia e Durrësit.
K.H.





