Një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë mbërritur sot në grykëderdhjen e Ishmit, në vendin ku ngeci të enjten avioni i drejtuar nga piloti italian Guido Andrea Guidi, i cili ka pranuar se do të transportonte drogë.

Deputetët demokratë shprehen të bindur se italiani kishte mbërritur në Shqipëri me qëllim trafikimin e drogës, për llogari të personave të lidhur me pushtetin. Sipas deputetit Flamur Noka, që ishte dhe personi i parë që bëri publik faktin se në Ishëm ishte rrëzuar një avion, pista e improvizuar në këtë vend nuk mund të ndërtohej pa ndihmën e qeverisë.

Sipas Nokës dhe deputetit tjetër demokrat Edi Paloka, ky është një rast nga më ekstremët, pasi pista të tilla janë mundur të ndërtohen vetëm në Kolumbi, por kartelet e drogës në Shqipëri po i ndërtojnë edhe këtu.

Ndërkohë avioni ndodhet ende në vendin ku ngeci dy ditë më parë, ndërsa ruhet nga një patrullë policie. Transportimi i tij është i vështirë për t’u realizuar për shkak të terrenit malor.