Nga Andi Bushati
Edi Rama e ka nxitur sot grupin parlamentar të hidhet në një mësymje totale ndaj kundërshtarëve të tij, duke përdorur argumentet e stërdala boje të tragjedisë së Gërdecit.
Ai i pari ka evokuar, sipas shkrimeve më bajate të mediave të majta, filmin që është ende në kinema “War dogs”, për t’i kujtuar Sali Berishës një katastrofë ku është i përlyer kokë e këmbë.
Më pas është ngritur ministri i Brendshëm Tahiri dhe ka ironizuar me ish-kryeministrin që bënte sikur nuk kishte kunat (që la jetën në fabrikën e vdekjes) dhe sikur nuk dinte seç bënte i biri.
Pikërisht, këto episode, kanë shërbyer që punimet e kuvendit të ndërpriten dhe që me ndihmën e Flamurit që tani shërben si badigard personal i doktorit, debati të shmanget nga vota e Dibrës dhe kultivimi i hashashit.
Në fakt të gjitha akuzat e vona të socialistëve qëndrojnë nga fillimi deri në fund. Por, po aq sa janë të sakta, po aq janë edhe të padobishme.
Tani asnjë shqiptar nuk ka më nevojë të rikujtojë se sa i zhytur qe Berisha në vrasjen e 26 punëtorëve të pafajshëm. Kjo është një e vërtetë që nuk do konfirmim.
Socialistët që erdhën në pushtet edhe me këtë kauzë, kishin dorë ta zbardhnin atë.
Nuk e bënë.
Pastaj kishin në dorë një gjë më të vogël.
Të mbanin një distancë higjienike nga shkaktarët e tragjedisë.
Edi Rama mund ta evitonte që lejen e parë të ndërtimit me firmën e tij, t’ia jepte ndërtuesit të fabrikës së vdekjes. Nuk i rezistoi dot tundimit.
Ai kishte në dorë gjithashtu të mos propozonte në poste publike avokatët e Fatmir Mediut, që ishin deklaruar ngado se ai qe i pafajshëm. Edhe me këtë qasje morale u tall si mos mëkeq.
Atëherë pse i rikthehet sot dhe sa herë është në vështirësi Gërdecit ?
Arsyeja është e thjeshtë. Është një taktikë për t’i ulur kokën atyre që e akuzojnë për lulëzimin e hashashit, për lidhjen me krimin, për vjedhjen e pasurive publike dhe për trafikimin e votës.
Ai thjeshtë do t’i kujtojë se ju jeni më keq : “Ju jeni vrasës”.
Kjo tentativë për krahasim brenda llojit, për të thënë se ka edhe me keq se ne, vërtet mund ta nxjerrë nga binarët Berishën, vërtet mund ta shndërrojë në kamikaz Flamurin, por ajo nuk i thotë asgjë qytetarit të zakonshëm.
Njerëzit përpara se të shohin show në parlament, përpara se të shijojnë shfaqen bajate se kush i ka duart me më shumë gjak, duan të sqarohen.
Sado fantazmagorike, të ekzagjeruara apo pjellë e fantazisë së çartur të qytetarit dixhital të jenë akuzat e opozitës, nëse je në të drejtën tënde, ato mund të zhbëhen me fakte dhe argumente.
Por, në vend të tyre Rama dhe të tijtë kanë filluar të përdorin më shpesh provokimin.
Kjo taktikë tashmë ka dalë boje. Ajo është konsumuar aq herë sa tani të gjithë e kuptojnë se Edi Ramës dhe deputetëve të tij nuk iu bëhet vonë për Gërdecin. Ata kanë arritur në pikën më të lartë të cinizmit, që i përdorin 26 të vdekurit si mjet për të shfazuar Berishën dhe falangat e tij.
Por, nga ana tjetër ky turp e ka dhe një të mirë. Ai na bën të kuptojmë se sa herë që përdor provokimin me Gërdecin, Rama është i kapur dhe do të fshehë diçka tjetër. Ashtu sikurse në debatin në parlament për hashashin dhe Dibrën. (Lapsi.al)





