Gafat e gjyqtarëve në dy javët e para të Kategorisë Superiore kanë “shkundur” institucionin e futbollit shqiptar. Si kurrë më parë, drejtuesit e FSHF-së kanë organizuar dy mbledhje të menjëhershme. Në mbledhjen me gjyqtarët kryesorë fillimisht u bë prezantimi i ndryshimeve në sektorin e gjyqtarëve në FSHF.
Kryetar i Komisionit të Caktimit të Arbitrave është emëruar Petrit Brahja, ndërsa në rolin e përgjegjësit të sektorit është vendosur ish-gjyqtari i njohur, Sokol Jareci. Ky i fundit merr vendin e Plarent Kotherjes, i cili do të kalojë në një tjetër pozicion, gjithnjë brenda këtij sektori. Pas problemeve të shfaqura që në start, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, paralajmëroi gjyqtarët:
“Duhet të jeni më të kujdesshëm. Është fillimi i sezonit dhe kërkohet më shumë vigjilencë. Nuk e prisnim këtë nisje”, mësohet të ketë thënë Shulku para gjyqtarëve. Ndërsa, më pas, fjalën e mori disenjatori Brahja, i cili në të dyja ditët përsëriti kërkesat dhe bëri kritika. “E nisët mbrapsht sezonin dhe natyrisht nuk ishte kjo që prisja. Do të shikojmë të gjitha rastet e dyshimta në ndeshjet e deritanishme dhe secili do të kuptojë gabimet. Kërkoj më shumë kujdes dhe përgjegjshmëri në javët e ardhshme. Jo më kot e kemi thirrur këtë mbledhje, për t’u njohur edhe një herë me ndryshimet që ka pësuar rregullorja. Është e pafalshme ta nisim kështu”, është shprehur jo pak i dëshpëruar Brahja para “bluzave të zeza” të kampionatit.
Në projektor janë shfaqur katër raste, pikërisht për ndeshjet e javës së parë: Skënderbeu-Flamurtari 2-1 dhe Luftëtari-Partizani 0-1, si dhe ato të javës së dytë: Laçi-Tirana 0-0 dhe Kukësi-Teuta 3-0. Mësohet se për penalltinë e minutës së 83-të në Korçë, sektori i gjykimit i ka dhënë të drejtë kryesorit Laver Alla. Mirëpo, e njëjta gjë ndodhi edhe me rastin tjetër të diskutueshëm, kur Bardhi i Partizanit u rrëzua brenda zonës në minutën e 93-të. Specialistët e gjykimit në FSHF e cilësuan si vendim të drejtë të Andi Koçit, duke vlerësuar se ka elementë të një penalltie.
Një panoramë tjetër është për ndeshjet e javës së dytë. Gjyqtari Sadiku është kritikuar pse nuk ka akorduar penallti në favor të Tiranës pas prekjes së topit me dorë brenda zone. Gjithashtu, për penalltinë e dhënë në favor të Kukësit, të gjithë kanë qenë në unison se Meta ka gabuar.
Komisioni tekniko-gjykues në FSHF ka vendosur që, pas dy javësh kampionat, të dënojë vetëm dy gjyqtarë: Remzi Sadikun dhe Kridens Metën. Ky i fundit nuk ka qenë i pranishëm as në mbledhjen me kryesorët që organizoi FSHF-ja, edhe pse mësohet se kishte marrë leje. Tashmë ajo që nuk dihet, është kohëzgjatja e dënimit të kryesorëve.





