Nga Arben Rrozhani
Gati 8 vite më parë, në nëntor 2008, bashkë me Artan Hoxhën, përfaqësonim Shqipërinë në panairin e medias, në Teheran. Stenda jonë modeste ishte mes shumë vendeve të tjera perëndimore dhe më e vizituara, sepse pasardhësit e persëve e lidhnin vendin me emrin e Naim Frashërit, Enver Hoxhës dhe Ismail Kadaresë. Në ditën e fundit të panairit 10-ditor ndodhi edhe incidenti. Do të vinte presidenti Ahmadinexhad. Pritej të hynte nga porta kryesore e “Grand Mosalla” (superxhamia e betontë) ku mbahej panairi, por hyri nga ana tjetër, ndoshta për arsye sigurie. Por njerëzit që e prisnin nuk reaguan mirë dhe nisën të futen me forcë. Turma shkallmoi derën kryesore dhe unë e filmova këtë skenë. Ishte një incident qesharak që në çdo vend normal do të ishte marrë me sportivitet, sepse kështu ndodh në çdo të “Premte të zezë” në supermarketet perëndimore. Por jo për iranianët që jetojnë prej vitit 1979 nën regjimin e Ajatollahëve. Rojet e sigurisë më rrëmbyen kamerën dhe nuk donin ta jepnin. Ndërhyri Maliki, zyrtari iranian i Ministrisë së Informacionit që shoqëronte gazetarët e huaj, dhe kamera mu kthye me kushtin që të filmoja në dysheme mbi filmimin që kisha bërë për incidentin e turmës dhe të rojeve të sigurisë te porta kryesore.
E gjithë kjo skenë u filmua pa dijeninë dhe pas shpinës time nga Artan Hoxha. Kanë kaluar tetë vjet dhe ai ende nuk ma ka dhënë xhirimin, qoftë edhe për ta pasur, si ia thonë fjalës, për “t’ua treguar nipave”.
E bëra këtë parantezë të gjatë për të treguar se çfarë (nuk) është sekreti shtetëror për disa regjime nëpër botë dhe pastaj çfarë roli kanë gazetarët, si në rastin dhe tipin e Artan Hoxhës.
Shoqërimi i tij mesnatën e shkuar ishte një turp për prokurorët dhe ata që i kanë urdhëruar. Regjimet që nuk dinë se çfarë të bëjnë me krimin dhe e hedhin fajin te mediat, janë përherë të dështuara dhe të destinuara që të ikin me turp. Kolegu Artan Hoxha ka arritur prej punës dhe rrjetit të gjerë të informimit të siguruar prej vitesh, që të jetë i pari në plasjen e “bombave” mediatike që lidhen me trafikun e drogës, vrasjet e bujshme dhe grabitjet. Nuk është çudi që të jetë edhe i pari që sulmohet nga ata që janë në pushtet, sepse kështu sillet pushteti me kritikët, pa dallim ngjyre. Mund të ketë thënë shumë gjëra dhe për shumë çështje, nga vrasjet te futbolli, por unë i heq kapelën për atë filmim dramatik të 21 janarit 2011 që tregoi me zë dhe me figurë krimin shtetëror të Sali Berishës, ndërsa shumë ish-opozitarë të djeshëm dhe pushtetarë të sotëm, u futën skutave si minjtë.
Çudia është se edhe pas shumë vitesh, problemi i vetëm i pushtetit mbetet media dhe ajo është e para që sulmohet dhe jo krimi. Dhe nuk ka të bëjë fare me anësi politike.
Më 17 gusht 2016, gazeta “Shekulli” botoi një numër special me materialin sekret të Shërbimit Informativ Kombëtar për 363 zonat ku është kultivuar kanabis. Kolegu Lufti Dervishi më mori në telefon dhe më bëri një “vërejtje profesionale”: Po pse ke vënë gjithë atë listë të gjatë të fshatrave ku është mbjellë droga dhe nuk ke vënë vetëm ndonjë fshat që kishte mbetur jashtë listës?- më pyeti ai me sarkazmën e tij shpotitëse.
‘Vërejtje’ me vend. Në vitin 2016, Shqipëria ishte bërë jeshil. Një tablo që implikon drejtpërdrejt pushtetin qendror dhe atë vendor. Por i vetmi merak i pushtetit ishte tjetërkund. Zyrtarë të Policisë së Shtetit, edhe pse ajo e mohoi zyrtarisht se ekzistonte raporti i drogës i botuar i plotë te “Shekulli” dhe i botuar me pjesë në media të tjera ditë më parë, kërkonin të merrnin vesh se ku ishte siguruar ai. Njëra nga sms-të kishte përmbajtjen: “Vetëm më thuaj, nga SHISH-i e morët?”. Sigurisht që burimi nuk tregohet dhe nuk e treguam, por ja e thamë që na e dha SHISH-i, çfarë ndryshon në luftën e qeverisë me krimin e organizuar?!.
Këtu e tre vite të shkuara kur erdhi në pushtet, por dhe tani, kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij përgjegjës, një e dy përmendin kontrollin mbi territorin. E kanë përmendur si “gropë të zezë” të Berishës sa herë që ka qenë në pushtet, por edhe në përgjithësi për qeveritë në këto dy dekadat e tranzicionit. E përdorën edhe Lazaratin në pranverën 2014 si tregues force dhe vendosmërie të qeverisë për të mos lënë asnjë pëllëmbë vend jashtë kontrollit shtetëror. Por në vitin 2016, vetëm ndonjë fshat është brenda kontrollit të territorit, siç tregoi edhe raporti sekret për drogën e mbjellë. Nuk besohet se kjo mungesë kontrolli territori është bërë pa dijeninë e strukturave të qeverisjes qendrore dhe vendore, sepse këtu njerëzit po rrasen me muaj nëpër burgje për një copë gardh dhe mur të ndërtuar pa leje, jo më të zaptosh pyje, kullota apo të ndërtosh pistë për ulje avionësh si ajo e pardjeshmja në fshatin Gotull të Ishmit, ku theu rrotën avioni i italianit.
Për disa atje lart këto mund të jenë “sekrete shtetërore”, por për gazetarët dhe shumicën e popullit janë probleme që do t’u dalë tymi së afërmi. Një biznesmen po tregonte se kishte blerë jonxhë nga Tirana, për të ushqyer kecat në Skrapar, sepse barinjtë e tij nuk guxonin t’i çonin kafshët e imta në mal prej rojeve të armatosur që ruajnë plantacionet e kanabisit. Një tjetër thotë se mjafton të marrësh rrugët nëpër shtigje dhe sheh djem të rinj që shtrihen anash rrugëve, gjoja marrin rreze dielli…janë rojet e kanabisit. Një tjetër është habitur nga flotilja e fuoristradave në fshatrat malorë dhe nuk ka lidhje me garat Rally…
Këto rrëfime nuk janë lajme të mira për qeverinë e sotme. Është e vërtetë se pas tre viteve në pushtet, shumë premtime janë harruar, në skenë kanë dalë interesa më afatshkurtra dhe të lidhura me përfitimin e shpejtë dhe pa mund, por zbythja e shtetit për t’ia lënë territorin krimit të organizuar ka kosto jo vetëm për fatet e kësaj maxhorance në sfidën e ardhshme zgjedhore, që s’mund të konceptohet si Dibra, por në radhë të parë për vendin. Pasi të ketë rifituar kontrollin mbi territorin, siç u premtua në vitin 2013 dhe u propagandua në pranverën 2014 në Lazarat, atëherë po ja bënim hallall të kalonin edhe te hetimi në mesnatë, sekuestrimi i celularëve apo kontrolli i tabulateve të gazetarëve, meqë ky paska qenë fiksimi i regjimeve, pas asnjë dallim ngjyre.
*Autori, kryeredaktor i gazetës “Shekulli”





