Ndizet situata në koalicionin qeverisës sa i takon zgjedhjes së presidentit të ri. Edhe pse duhet ende shumë kohë për këtë proces, disa eksponentë të PS-së kanë deklaruar se do të donin në këtë post të ishte kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Pas Ditmir Bushatit në një intervistë të enjten, dje ka dalë dhe një emër tjetër. Deputeti Arben Çuko foli në një televizion, ku u shpreh se e mbështet këtë ide, teksa tha se ai do e lehtësonte rrugën e së majtës për të ecur përpara.

“Ilir Meta si president i shtetit shqiptar do të lehtësonte më tepër rrugën e gjatë që ka përpara e majta në këto 8 vitet e ardhshme apo më tepër. Kjo varet nga vendimi politik i dy partive, që janë në një koalicion në bazë të një marrëveshje të caktuar në të cilën vazhdojnë të qeverisin. Nëse Meta bëhet president, kjo do të thotë që është pjesë e marrëveshjes. Nuk mund të bëhet Meta president jashtë dëshirës së tij dhe nuk mund të bëhet gjithashtu president jashtë dëshirës së Edi Ramës”, tha ai.

Deklaratat e tyre kanë ngjallur dyshime, pasi vetë Meta disa herë e ka përsëritur se nuk aspiron për kryetar shteti. Megjithatë, dje është parë se  ka pasur këmbëngulje të forta në këtë aspekt, që kanë sjellë dhe reagime në radhët e LSI. Posti i Bujar Nishanit përfundon në qershor të 2017 dhe siç duket tani e majta ka nisur të aludojë për emrat e ardhshëm. Ndërkohë, të enjten ishte Ditmir Bushati, që u shpreh se Metës do i shkonte posti i presidentit.

“A mund të jetë kandidat? Natyrisht që është kandidat i fortë për president, por kjo varet nga Meta, nga koalicioni, nga votat në Parlament. Një njeri që ka qenë kryeministër, ministër i Jashtëm, ministër i Ekonomisë, kryetar Parlamenti, kur lexon CV dhe sheh kontributin, ai është një kandidat i fortë për president, por mendoj që politika shqiptare nuk është tek emri. Fillimisht duhet të ketë një diskutim se çfarë profili duhet ta kemi presidentin e republikës” tha ai.

Reagon LSI

Nga radhët e LSI ka reaguar dje deputetja Kejdi Mehmetaj. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ajo ka deklaruar se Meta është kryetar Kuvendi dhe roli i tij është i pazëvendësueshëm. Sipas saj, në këtë situatë konfliktuale që është në vend, ai nevojitet të mbajë rolin që ka.

“Unë mendoj se Z.Meta ndihet i respektuar nga vlerësimi i disa prej figurave të Partisë Socialiste që e shohin së pari si njeriun konsensual dhe konstruktiv dhe si Presidentin e ardhshëm të Shqipërisë. Megjithatë them se detyra e Metës si kryetar i Parlamentit ende nuk ka mbaruar dhe roli i tij konstruktiv është dhe mbetet i pazëvendësueshëm në këto kohë tensionesh të mëdha politike”, tha ajo. Deputetja më e re e Kuvendit, u ndal dhe te fakti se këto ditë nis riorganizimi i LSI dhe Meta ka shpallur kandidaturën për garën. Ai do të garojë përballë Shezai Rrokajt. “Lëvizja Socialiste për Integrim këto ditë po futet në një proces zgjedhor, ku z. Meta është kandidati kryesor dhe në këtë moment të rëndësishëm politik për LSI ai është drejtuesi dhe inspiruesi i pazëvendësueshëm në suksesin e zgjedhjeve të ardhshme. Duke gjykuar si një e re, e cila ndodhet në politikë sepse Ilir Meta, si askush tjetër në politikën shqiptare, ka besuar tek të rinjtë mendoj se kauza e tij për promovimin e të rinjve ka akoma shumë rruge për të bërë. Pse jo, do e quaja edhe një detyrim të tij që duhet çuar deri në fund”, tha Mehmetaj.

Vihet re se ka një farë përplasje mes palëve, ku PS e do Metën president, ndërsa LSI nuk është dakord, shkruan gazeta “Sot”.