Çfarë u bë gabim? Çfarë çoi në humbjen e jetës së foshnjës dhe të 35-vjeçares nga Paskuqani, Aida Çajku? Përveç sorollatjes prej afro 5 orë e gjysmë nga njëri spital në tjetrin ende nuk ka një diagnozë të saktë se nga humbi jetën pacientja.
Mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” nuk kanë mundur të përcaktojnë diagnozën që në fillim, madje nuk e kanë kuptuar situatën e saj duke e orientuar drejt shërbimit të urgjencës për probleme kardiake.
Ajo ka qëndruar në maternitet vetëm 45 minuta. Por vetëm pas një konsulte të gjerë ekipi i mjekëve në maternitet ka përcaktuar diagnozën hemorragji masive në pjesën e shpretkës, një patologji e rëndë kjo, sipas tyre, dhe e rrallë ku 75% e rasteve humbin jetën.
Mjekët e maternitetit e kanë diagnostikuar me shumë vonesë këtë gjë, pas ece-jakeve të gruas shtatzënë për mbi 5 orë dhe pasi ajo kishte humbur jetën.
Dy ekspertët obstetër gjinekologë, të konktaktuar nga “Top Channel” në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, thonë të njëjtën gjë: ekipi i mjekëve të maternitetit nuk duhej të bënte transferimin e 35-vjeçares për në urgjencën e QSUT-së, pasi në këto raste, kur ka dyshime për probleme kardiake, thirret mjeku kardiolog në maternitet.
Nga ana tjetër, funksionon qendra e koordinimit, ku mjekët e maternitetit mund të kërkojnë konsultë si në rastin e kardiologut, por edhe të mjekut kirurg, i cili duhej të ndërhynte. Vetëm pasi në sanatorium është konstatuar shok hemorragjik dhe gruaja është rikthyer në maternitet dhe kur gjendja e gruas ishte rënduar, atëherë është thirrur konsultë e zgjeruar.
Por atëherë ishte shumë vonë. Shërbimi kirurgjik ka konstatuar hemorragji në regjionin e shpretkës, por pa ditur se nga se ishte shkaktuar. Por për këtë do të vendosë mjekësia ligjore. / Top Channel





