Dy shqiptarë kanë mbetur të plagosur pas një sherri me bajoneta mes tyre. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, rreth orës 18.10, në Corsico të Milanos në Itali.

46-vjeçari i plagosur më rëndë u transportua me urgjencë në spitalin “Humanitas”, ndërsa në momentin që ka ndodhur ngjarja, të pranishëm kanë qenë shumë persona.

Dëshmitarët thonë se dy burrat fillimisht u zunë me fjalë në sy të dhjetëra kalimtarëve pranë një pike bastesh e më pas kaluan në përdorimin e bajonetave.

Mediat italiane raportojnë se të plagosurit më rëndë i është thyer bajoneta mes brinjëve. Ai nuk rrezikon jetën, por mund të mbesë i paralizuar, raporton "Il Giorno".

Policia po heton mbi motivin e ngjarjes.