Me detektorin e tij, në gjueti të monedhave dhe bizhuterive të çmuara të humbura në parkun e Monza-s në Itali, një shqiptar ka gjetur dy valixhe të vogla dhe është bërë dyshues, raportojnë sot mediat lokale.
Për të marrë vesh se për çfarë bëhej fjalë, sapo është kthyer në shtëpi ka nisur kërkimin në disa faqe interneti të specializuara dhe më pas i telefonoi policisë.
“Në parkun e Monza-s janë dy bomba”, i tha policisë, 40-vjeçari shqiptar, rezident në Nova Milanese.
Dhe në të vërtetë, skuadra anti-bombë që shkoi me shpejtësi në vendngjarje gjeti dy bomba brenda valixheve të vjetra, të Luftës së dytë Botërore, të cilat nuk kishin detonatorë, kështu që nuk mund të shpërthenin.
Megjithatë ato u sekuestruan dhe u asgjësuan nga policia.





