DurrësLajm sjell pamjet nga vendngjarja e rrëzimit të avionit Italian në Ishëm dhe njëkohësisht momentin e ndalimit të pilotit italian Guido Andrea Guidi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, fill pas rrëzimit të avionit tip “Piper”.  

Nga vendngjarja u raportua se avioni kishte dëmtime në krahë dhe rrotë, ndërsa në video duket qartë momenti i shoqërimit të pilotit 69-vjeçar, i cili ka thënë se është detyruar të ulet për shkak të një defekti teknik dhe se nuk e dinte me saktësi ku ndodhej.

“U nisa nga Bari për të bërë një shëtitje, ishte kohë e bukur do shkoja në Veri të Italisë, po fluturoja mbi det”,- tha piloti.

Lajmi për rrëzimin e avionit bëri bujë edhe në sallën e Kuvendit, ku deputetet e opozitës hodhën të parët dyshimet se “Piper-i” italian mund të kishte transportuar drogë. Por me gjithë dyshimet, policia tha se avioni është gjetur bosh. Megjithatë dëshmitarët thonë se avioni nuk ka rënë por është ulur dhe se kjo nuk është hera e parë që shohin uljen e avionëve të tillë të vegjël.
 

HETIMET

Grupi hetimor me të shkuar në vendngjarje ka konstatuar avionin me dëmtime në krahë e rrotë, ka gjetur 1.500 metra shenja gomash, tokë e rrafshuar me rul. Kjo ka qenë pamja që ka gjetur grupi hetimor i ngritur sot pas rënies së një avioni të vogël në zonën mes Ishmit dhe Laçit.

Hetuesit e prokurorisë dyshojnë se vendi ku mund të jetë ulur avioni është një pistë e improvizuar që shërben për ulje të avionëve të vegjël herë pas here. Po hetohet për të vërtetuar nëse ka qenë i mbushur me drogë dhe është zbrazur para se të vinte policia në vendngjarjes. Prokuroria për Krimet e Rënda mësohet se po merr në pyetje italianin me dyshimet se do kryente trafik droge. Ngjarja u bë e ditur rreth 3 orë pasi ishte marrë njoftimi në sallën operative të policisë nga një dëshmitar që kishte raportuar rënien e një avioni të vogël në Ishëm.

K.H.