Drejtuesit e klubit të Teutës janë të vendosur që t’u shkojnë deri në fund pretendimeve të tyre duke fajësuar gjyqtarin Kridens Meta për penalltinë e akorduar në Kukës.

Presidenti i skuadrës durrsake kishte paralajmëruar se klubi i Teutës do të ndërmrrte masa ligjore për të vënë para drejtësisë gjyqtarin kryesor të ndeshjes, Kridens Meta.

Tashmë dosja është dorëzuar në prokurori gjë që e konfirmon vetë presidenti Hasanbelliu i cili shton:

“Ne do të bojkotojmë kampionatin nëse Kridens Meta nuk largohet përfundimisht nga futbolli. Kemi dorëzuar në Prokurori dosjen duke denoncuar arbitrin për marrje ryshfeti, pasi dyshojmë për një gjë të tillë. Ai e bëri me dashje këtë veprim. E kemi denoncuar arbitrin për marrje ryshfeti dhe dhënie penalltie të paqenë dhe me dashje dhe përveç dënimit nga organet kompetente kërkojmë edhe nga FSHF që ky person ordiner dhe hajdut të përjashtohet përgjithmonë nga futbollis shqiptar”.

Klubi i Teutës ka dorëzuar padinë ndaj arbitrit Meta për akuzat që kanë lidhje me penalltinë e akorduar në Kukës. Pra, vendimi i gjyqtarit duket se nuk do të mbetet në kuadrin e “gabimit njerëzor”. Sezoni i ri futbollistik ka nisur mjaft i nxehtë dhe akuzat në drejtim të gjyqtarëve nuk kanë munguar. Në javën e parë të kampionatit janë dhënë dy 11-metërsh të dyshimtë. I pari ka qenë në sfidën Skënderbeu-Flamurtari, në minutën e 83-të të takimit, kur ndeshja ishte në shifrat 1- 1. Ndërsa penalltia e dytë e dyshimtë ishte në ndeshjen Partizani-Luftëtari, ku Bardhi, edhe pse nuk e kishte topin në zotërim, rrëzohet në zonë dhe kryesori akordon 11-metërsh.