Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit e 8 muaj burg ish-ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverinë "Berisha", Spiro Ksera.

Ish-ministri nuk ka qenë i pranishëm në seancë, por përfaqësohej përmes avokatit të tij, Genc Gjokutaj. 

Sipas vendimit të Gjykatës me 26 faqe, krahas dënimit me 20 muaj burg, Kserës i mohohet edhe e drejta e marrjes së detyrës shtetërore dhe funksioneve publike për 5 vite. 

Prokuroria kërkoi tre vite burg për ish-ministrin, duke e cilësuar atë fajtor në vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Ksera akuzohet se ka abuzuar me fondet e buxhetit të shtetit në shumën e 30 milionë lekëve. Sipas Prokurorisë, Ksesa ka përvetësuar shumën në fjalë, edhe pse fondet kanë qenë të destinuara për aktivitete në dobi të komunitetit rom. 

10 muaj burg janë dhënë për Artevis Menen, ish-juristin e Ministrisë, ndërsa nga 10 muaj shërbim prove janë dhënë për dy ish-punonjëset Elda Koza dhe Elisabeta Dodbidaj. 

Spiro Ksera është ministri i parë që dënohet me burg për abuzim me detyrën.