Gjykata dhe prokuroria do të bëhen me një shtëpi të re në Durrës. Pallati i Drejtësisë pritet të hedhë themelet në lulishten e Mauzoleumit të Dëshmorëve.

Në një prononcim për “DurrësLajm”, kryebashkiaku Vangjush Dako, deklaroi se Bashkia e Durrësit ka gati projektin për fillimin e punimeve në rrugën që zbret nga Mauzoleumi i Dëshmorëve drejt sheshit “Pranvera”, rrugë e cila kthehet në një pedonale për këmbësorët.

Gati janë projektet për sheshet dhe këmbësorët në këtë zonë, ndërsa në proces tenderimi është fillimi i punimeve për pedonalen nga Mauzoleumi drejt sheshit “Pranvera”, me vlerë 3 milionë euro. Procesi i tenderimit është hapur në Bashki, por ende nuk është shpallur firma fituese. Sipas kryebashkiakut, punimet priten të nisin në fund të këtij viti. Projekti për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë është parashikuar të nisë si fazë e dytë.

PROJEKTI

Në bazë të projektit për zonën para sheshit “Pranvera” dhe godinës së Postë-Telekomit, është parashikuar që të hiqen prej andej stacionet e autobusëve, të Porto- Romanos dhe Plepave. Segmenti rrugor nga “Pranvera” deri te kryqëzimi me bulevardin “Dyrrah” të kthehet në pedonale për këmbësorët, ndërsa para sheshit të Albtelekomit është parashikuar të ndërtohet një parking për rreth 600 makina. Kthimi i rrugëve në pedonale kufizon edhe lëvizjen e qytetarëve me makina në qendër të qytetit.

Nisja e këtij projekti, i ka paraprirë dhe hartimit të projektit të tunelit nga sheshi “Pranvera” deri në Currila, për të disiplinuar trafikun.  

K.H.