Policia e Tiranës ka identifikuar autorët e plagosjes së biznesmenit libanez Fadi Mitri, njëri prej të cilëve është arrestuar, ndërsa dy të tjerët janë në kërkim.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Tiranës, në pranga ka rënë 26-vjeçari nga Durrësi, Skënder Kraja, i cili rezulton i dënuar më parë, ndërsa janë shpallur në kërkim dy banues nga Sukthi, V. D., 32 vjeç, dhe L. M., 39 vjeç.

Po ashtu, të arrestuarit i është gjetur në shtëpi edhe një sasi prej 35 gramë kanabis sativa.

Njoftimi i policisë së Tiranës:

Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë kanë bërë identifikimin e personave të dyshuar të përfshirë në goditjen me sende të forta ndaj shtetasit libanez F. M., ndodhur më datë 10.09.2016. 

Më datë 14.09.2016, u bë arrestimi i shtetasit:

– Skënder Kraja, 26 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë.

Ky shtetas në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë dyshohet se më datë 10.09.2016, në aksin rrugor, Kashar – Rinas, pas një përplasje mjetesh, i cili ka degraduar në konflikt fizik, kanë goditur me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime, shtetasit F. M., 55 vjeç, banues në Tiranë. 

Gjatë kontrollit në banesë iu gjet e sekuestrua 35 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa.

Gjithashtu janë referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasve V. D., 32 vjeç, banues në Sukth, Durrës dhe L. M., 39 vjeç, banues në Sukth, Durrës. 

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale "Plagosja e lehtë me dashje e kryer në bashkëpunim" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", parashikuar nga Nenet 89-25 dhe 283 të Kodit Penal.

Punohet për kapjen e dy shtetaseve të tjerë të dyshuar si autorë të ngjarjes.

Ngjarja

Ishte data 10 shtator kur biznesmeni amerikan, Fadi Mitri, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmija në momentin kur u sulmua barbarisht me shkop bejsbolli në aksin rrugor, Kashar – Rinas, pas një përplasje mjetesh. Ai është goditur 10 herë në kokë dhe 7 herë të tjera në gjymtyrë e për pasojë ka hematoma të shumta, ndërsa njërën këmbë e ka të thyer. Kanë qenë tre persona që e kanë sulmuar, pasi i kanë përplasur makinën me të cilën ai udhëtonte në rrugën e Rinasit.

Ata janë larguar me një makinë tip “Tuareg” me targa të huaja, që ende nuk është gjetur nga Policia. Sipas dëshmisë që Fadi Mitri dhe shoferi i dhunuar kanë dhënë para hetuesve, njëri nga autorët ka filmuar të gjithë skenën. Vetë biznesmeni i plagosur ka arritur të fiksojë targën e automjetit “Tuareg”, ku ndodheshin autorët, të cilën edhe e ka fotografuar, pasi mjeti gjatë gjithë rrugës kryente manovra të rrezikshme dhe parakalonte makinën e tij.