Humbja e zgjedhjeve të pjesshme në Dibër e ka përballur me akuza të forta kreun e PD-së, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit të zhvilluar këtë të mërkurë.

Në një diskutim që zgjati për mbi dy orë, Basha u fajësua për moskonsultim me deputetët dhe strukturat për vendimmarrjet e tij, gjë që sipas disa prej deputetëve e kanë çuar PD-në në humbje të njëpasnjëshme.

Deputeti Eduard Selami i kujtoi Bashës që duke filluar nga koha kur ka marrë drejtimin e PD-së, forca politike ka pësuar 3 humbje radhazi në zgjedhje.

Sipas Selamit, duhet mbledhur Këshilli Kombëtar i PD-së dhe të diskutohet mbi problematikat që janë hasur për çështjet e organizimit të brendshëm. Po kaq kritike ka qenë edhe deputetja Majlinda Bregu, e cila ka shprehur rezerva për lidhjen e koalicioneve të Bashës.

DEBATI I PLOTË NË MBLEDHJEN E PD-SË

Lulzim Basha: Kërkoj nga secili që në këtë mbledhje të flasim në mënyrë të hapur dhe të sinqertë për atë që ndodhi në Dibër. Sigurisht që ne të gjithë si forcë politike u investuam maksimalisht për arritjen e një fitoreje, por siç e kam thënë edhe publikisht, përballë kishim një kartel, një organizatë kriminale qeveritare që u investua në gjithçka që të tjetërsonte vullnetin e dibranëve. Për Edi Ramën ky ka qenë testi i vërtetë për atë që ai kërkon të bëjë në zgjedhjet e vitit 2017.

Eduard Selami: Nuk mund të fshihemi pas këtyre fenomeneve që, ndonëse janë tërësisht të vërteta, nuk justifikojnë gabimet që vetë ne si forcë politike kemi. Në 3 vitet e fundit, PD ka pësuar 4 humbje, 3 prej të cilave nën drejtimin tuaj kryetar dhe këto nuk mund të shpjegohen thjesht me tezën e blerjes së votave.

Në gjykimin tim, është e domosdoshme thirrja e Këshillit Kombëtar për të bërë një analizë të thellë. Kandidati, pa vënë në diskutim cilësitë plotësisht të mira që kishte, nuk u zgjodh nga një konsultim i brendshëm i strukturave më të larta të kësaj force politike. Për të mos folur këtu për aleancat politike.

Nuk e kuptoj pse duhej që PD të kishte pjesë të aleancës së saj parti, apo më saktë individë, që kanë qenë kundërshtarë të PD-së dhe më saktë të Sali Berishës në kohën kur drejtonte PD-në? Besoj se e kupton që e kam fjalën për Kreshnik Spahiun. A ka vendimmarrje të gjerë në këtë parti apo gjërat vendosen vetëm nga kryetari dhe të tjerët thjesht duhet të binden?

Majlinda Bregu: Ne nuk mund dhe nuk duhet t’u shmangemi përgjegjësive që kemi për humbjen e këtyre zgjedhjeve. Është fatalizëm nëse do të vazhdojmë të themi se na vodhën. Jemi forca kryesore politike në Shqipëri, nuk mund të presim të na shkelë syrin LSI-ja apo akoma më keq të na bëjë fushatën tonë zgjedhore Kreshniku për të arritur te fitorja. Dasma nuk bëhet me krushq, krushqit përcillen.

Si është e mundur që me gjithë atë investim politik që PD bëri në Dibër, nuk shtuam asnjë votë? Jemi në konfuzion total dhe degët janë në rënie të vazhdueshme. Kemi një eksperiencë të shkëlqyer në të shkuarën. Ju kryetar, në 2015-n na shmangët nga fushata vendore.

Ndërkohë në Dibër kam shkuar vetë dhe na hoqët nga lajmi. Si dikur Mehmet Shehun. E dini pse i fitoi zgjedhjet PD-ja në 2005-n? Ajo fitore erdhi pasi PD fitoi luftën me vetveten. Isha e bindur që largimi i Berishës do të sillte boshllëqe të tilla, por lidhja e aleancave në këtë mënyrë, pa asnjë konsultim, më duket një vendimmarrje aspak korrekte.

Aldo Bumçi: Ajo që unë do shihja me mjaft vlerë pas zgjedhjeve të Dibrës është që të mos biem në grackën e PS-së dhe mos ta kthejmë atë proces si problem brenda PD-së. Ajo që vlen të theksohet është se PD humbi në këtë bashki në 2015-n prej përçarjes së brendshme, por këto zgjedhje ishin një histori krejt tjetër. Bandat dhe paratë e drogës janë bërë faktori kyç i fitores së PS-së në këto zgjedhje në Dibër.

S’kemi pse e kthejmë në një debat të brendshëm, sepse ne si forcë politike atje kemi funksionuar. Por ajo me të cilën u përballëm kërkon zgjidhje me të mëdha politike. Për të arritur këtë, në gjykimin tim, janë dy rrugë. Na ngelet ose t’i japim zgjidhje politike çështjes, ose do në të kundërt të ekuilibrojmë forcat në terren me kundërshtarin tonë politik.

Arben Imami: Sigurisht që qëndrojnë shqetësimet e kolegëve mbi blerjen e votave, presionin dhe përdorimin në fushatë të të ardhurave kriminale nga biznesi i kanabisit. Në gjykimin tim, edhe përqendrimi i madh i deputeteve të Grupit parlamentar atje bëri që strukturat lokale të mendonin që nuk është çështje e tyre, por e Tiranës.

Ne kemi një Këshill Kombëtar që nuk mblidhet, po ashtu edhe Kryesia e PD-së nuk mblidhet, sepse e dinë çfarë janë. Unë u angazhova edhe vetë në fushatë, por ditët e fundit hoqa dorë dhe nuk shkova sepse e dija çfarë do të ndodhte. Në zonën që unë kam qenë, njerëz me precedentë kërcënonin me armë zgjedhësit.

Edi Paloka: Po ti ku e di këtë situatë? Ti vetë the që ditët e fundit nuk kam qenë në Dibër, se e dija se çfarë do të ndodhte?

Arben Imami: Zotëri, thashë që nuk isha, por nuk i kam ndërprerë për asnjë moment kontaktet me bazën atje dhe kam qenë i informuar për çdo gjë që ndodhte. Duhet të jemi koshientë për situatën. Ajo që kemi parë në TV me blerjet e votave është e tmerrshme.

Eduard Halimi: Për mua Dibra nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga rezultati në Peqin, nga Kruja, Kavaja, Durrësi e me radhë. Kësaj radhe mori përmasa krejt dramatike, sepse kështu janë tashmë edhe përmasat e drogës dhe krimit në vend. Opozitat nuk çajnë dot bandat dhe krimin. Çështja themelore është të jemi përballë Ramës, jo pjesa e brendshme. Çfarë do bëjmë, eksperimente të Ramës? Rezistencë e fortë, qeveria teknike.

Astrit Patozi: Jemi trupa më e lartë politike e PD-së dhe nuk mund të mbetemi peng i Dibrës, analizën e detajuar dhe atë se çfarë ndodhi atje duhet ta bëjë dega lokale. Ajo që ne do bëjmë, të marrim një sinjal dhe të japim një mesazh për 2017-n dhe asgjë tjetër. Nuk e sollën vetëm problemet tona të brendshme, të cilat qëndrojnë siç e theksuan shumë nga kolegët, humbjen e thellë në Dibër.

Edhe mund të fitonim dhe do të brohorisnim një muaj, por pas 10 muajsh do të na ndodhte në zgjedhjet e përgjithshme, ndaj më mirë që i humbët, se pamë skemën e tyre. Të mos harrojmë që ne e mundëm PS-në në Mokër në 2006-n, ndaj dhe të mos e konsiderojmë gjëmë. Nga ana tjetër, unë nuk mendoj se duhet ta ngrinim stekën deri aty në Dibër; që ta trajtonim si çështje kombëtare.

Por ky gabim u bë tani. Po dëgjoj këtu për skenarët e daljes nga kriza, që janë qeveria teknike apo përgjigjja me të njëjtën monedhë, pra bandave me banda. I përjashtoj të dyja. Të parën nuk e arrijmë dot. Të dytën nuk duhet ta çojmë ndërmend. Nuk duhet të na shkojë në mend, se jemi parti vlerash. Por, edhe sikur të braktisnim parimet tona dhe ta provonim, do të humbnim shumë keq se luajmë në terrenin e tyre dhe pas kësaj publiku do thotë se është çështje horrash, që u ndeshen mes tyre.

Dhe ne nuk na takon ta bëjmë këtë gjemë, sepse të paktën të ruajmë kauzën. Ne jemi të vonuar te reforma zgjedhore, kemi humbur kohë duke u zvarritur me reformat në drejtësi e çështje të tjera. Problemet që nxorën kokë në Dibër mund të shërbejnë që të riparojmë diçka, deri pas një viti. Ne duhet të ushtrojmë forcë dhe presion për Kodin e ri Zgjedhor dhe për një minimum garancish për zgjedhje normale.

Së dyti, nuk gjykoj se strukturat do të na e zgjidhin hallin e madh. Ato janë problem, por kryesorja është fryma. Duhet të merremi me mesazhin e madh politik. Bandat janë në qarkullim, mafia e fortë, por do të jetë e shpërndarë në të gjithë vendin dhe do ta ketë shumë të vështirë të na mundë. Nuk e bën dot në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, apo gjetkë atë që bëri në malësinë e Dibrës. Duhet të promovojmë njerëzit e sprovuar; që nuk janë banditë, por nuk frikësohen e rrugë nuk hapin.

Ambiguiteti me aleancat zgjedhore, po na dëmton rëndë. Po lamë vend për dyshim, japin mesazhin se janë të gjithë njëlloj, atëherë njerëzit rrinë me qeverinë. Se nuk rrezikojnë. Por qytetarët mund t’i marrim me shpresë. Ne nuk kemi detyrë të bëjmë mrekullinë për fitore plebishitare. Misioni ynë është të dalim parti e parë. Po e arritëm këtë, kurrë mos e bëfshim qeverinë, e kemi kryer detyrimin tonë. PD është si Bayerni, po doli e dyta, konsiderohet humbje.

Oerd Bylykbashi: Atje do të kishte humbur kushdo, mënyra si kontrollohet qendra e votimit është e rëndë. Shohim një siluetë të madhe. Çelësi i tyre është te njerëzit që shpërndajnë paratë, nuk është çështje e statusit tonë. Po u morëm me veten, s’ka lidhje, duhet të bëjmë një gjë ndryshe. Në 2001-shin, ndërkombëtaret thanë që maxhoranca fitoi, por gjerësia e fitores nuk ishte e besueshme. Atëherë PD bëri diçka të fortë që nuk pritej dhe arriti të fitonte. Çelësi është te kontrolli kapilar i çdo qendre votimi. Njohje e çdo qendre dhe njerëz për të shpërndarë paratë në mënyrë efikase. Kanë zbatuar skemën e Durrësit.

Sali Berisha: Unë nuk u heq asnjë presje atyre shqetësimeve që u ngritën këtu për strukturat, por nuk mund të shprehem pasi nuk kam qenë në terren, sepse, siç e kam premtuar, nuk do të përfshihem në fushatë. PD-ja duhet ta themi që është afër një momenti shumë kritik, por jo të pashpresë, dhe kjo e gjitha për shkak të drogës që e kanë kthyer vendin në Kolumbi. Këtu s’ka më zgjedhje.

Problemi më i madh është pushteti i pakufishëm që kriminelët kanë marrë falë mbështetjes së qeveritarëve. Por zgjidhja për të gjitha këto shqetësimet që dolën në Dibër mund të vijë vetëm nga Tirana dhe nga vendimmarrjet që ne duhet të marrim këtu. PD-ja kurrë nuk duhet lëshuar që të shkojë drejt krimit dhe drogës për t’u barazuar me kundërshtarin tonë politik. Në PD duhet të mbizotërojë forca e ideve dhe vlerave që kjo forcë ka pasur historikisht. Është i nevojshëm një dialog intensiv dhe i drejtpërdrejtë me qytetarët.

Luçiano Boçi: Nga diskutimet duket që ka dy çështje. E para, ka të bëjë me organizimin e partisë. Në Dibër, partia kishte probleme, konfliktualitete e përçarje. Nuk dua t’u heq asnjë gjë fjalëve të kolegëve që këto probleme ekzistojnë dhe në disa degë të tjera. Por këto nuk lindën sot, as para e gjatë tre viteve.

Kanë qenë aty dhe dalja në opozitë i nxori në sipërfaqe. Prandaj çdo gjë duhet ta nisim nga vetja. Të rregullojmë marrëdhëniet me kryetarët e anëtarët e partisë e të mos krijojmë përçarje e dasi. Në Dibër, Rama bëri eksperimentin e tij për të provuar skemën e marrjes së votës me blerje, shantazhim, në bashkëpunim me krimin. I funksionoi dhe do ta përdorë. Sfidoi kështu dhe ndërkombëtarët që u investuan në ligjin e dekriminalizimit.

Albana Vokshi: Mendoj se në zgjedhjet e Dibrës kishte një mungesë konsistence të mesazheve mes qendrës e bazës. Një tjetër faktor që mendoj se nuk na ka ndihmuar është LSI-ja. Unë kam qenë në fushatë në Dibër dhe e kam parë vetë situatën atje. E keni parë kronikën e transmetuar në TV të personit që jepte para?

Ai person ka qenë gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve në zonën në të cilën unë mbuloja, zonë në të cilën ka ardhur edhe Arben Ndoka. Po kështu kam takuar infermiere që më kanë pranuar se e kanë fotografuar votën, sepse i kishin paralajmëruar se do t’i hiqnin nga puna. Sa u takon problemeve të brendshme me kryetarët e degëve, jemi koshientë që Basha është zgjedhur me një anëtar-një votë dhe ka tërë autoritetin të komandojë kryetaret e degëve deri në zgjedhje.

Edi Paloka: Problemet i dinim që në fillim, droga dhe paratë, që ditën e parë. Seksionet u ngritën e u forcuan dhe Grupi Parlamentar ka qenë i gjithi në terren. Përplasjet ishin më të larta në vite, por i rregulluam me aq sa mundëm përpara zgjedhjeve. Fryma atje ishte pozitive, por ja që edhe fryma nuk bëri punë.

Bëri që ata të mobilizoheshin për të blerë votat. Strukturën e kemi në dorë vetë dhe e gjejmë kollaj, po të ishte çështja te foto, e kishim zgjidhur. Po thamë që PD-ja është problemi, hajde t’ia fusim Lul Bashës se na erdhi rasti kështu, është tmerr, nuk e di kush fiton nga ju. Çoni vetëm ujë te kundërshtari. 2001-shi ashtu na u duk, por tani është më rëndë. Ne me intelektualë, ata fitojnë me Sadriun dhe Ymer Lalen.

Po kërkuam t’ia fusim njëri-tjetrit, do rrijë ai për 40 vjet në pushtet. Florion Mima: Ne të gjithë në terren e pamë që janë punësuar 30 çuna nga fshati, 15 euro në ditë me parcelat e drogës. Shefi i komisariatit ka kontaktuar me mbjellësit e drogës dhe u ka thënë kemi foto për çdo parcelë. Ose votën, ose jeni të gjithë në burg. Pas orës 4, kur u kthyen nga parcelat me kanabis, u rrit ritmi i votimit.

Keltis Kruja: Hashashi na ka marrë në qafë. Nuk e kishin për masën dhe ishte një efekt shkatërrimi. Nga varfëria është vullnet i deformuar nga halli, një bashkëjetesë nga pamundësia. Shqipëria gjithë drogë. Policia e lejon vetë. Të bëjmë protestat, por të jemi plot aty. Dhe duhet ta ndërkombëtarizojmë çështjen. Vota u deformua në shtëpi dhe jo rrugës. Dalin deklarata për LGBT dhe nuk di për këtë.

Marrë nga gazeta “Panorama”