Pas 43 vjetësh në arsim, profesori Shkëlqim Ceci, i cili së fundi ishte drejtori i shkollës së re nëntëvjeçare në ish-Kënetë, doli në pension. Drejtues në disa shkolla për 35 vjet, profesori ka lënë gjurmë në formimin e shumë brezave, si edukator shembullor, dhe njëherësh si drejtues vizionar.
Stafeta e drejtimit të shkollës iu besua mësueses së vjetër Pashke Marku, në një ceremoni të thjeshtë ku mori pjesë drejtoresha e Arsimit, Lindita Muka, dhe personeli i arsimit.
Te profesori Shkëlqim Ceci, janë parë edhe lotët e emocioneve të daljes në pension në këtë fillim viti arsimor. Falënderimet për arritjet që ka kjo shkollë i shkojnë të gjithë stafit pedagogjik, dhe bashkëpunimit të ngushtë për të arritur rezultatet më të mira.
Drejtoresha e re e shkollës shikon si shembullin më të mirë figurën e profesorit Shkëlqim Ceci. Më shumë se fjalët për profesorin flasin veprat.
Shkolla nëntëvjeçare e Re në Kënetë, sot ka një prej laboratorëve më të mirë të biokimisë, si dhe një sallë për aktivitetet kulturore.
K.H.





