200 mijë Pound për të ndihmuar një fëmijë të sëmurë me kancer. Kjo është shuma që ka dhënë klubi i Everton për fëmijën tifoz të Sunderland, Lowery Bradley, i cili do të kurohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimin për këtë donacion “The Toffes” e bënë me dije përpara ndeshjes së javës së tretë pikërisht në stadiumin e Sunderland. 5-vjeçari zbriti në fushë përpara nisjes së ndeshjes, ndërsa në minutën e 5 të takimit, tifozët e “Stadium of LIght” i rezervuan një duatrokitje të gjatë. Mbështetësit vendas shpalosën gjithashtu edhe një baner me mbishkrimin “Bradley, ne jemi me ty”. Ky baner bëri xhiron e gjithë stadiumit. Një gjest i pabesueshëm humanizmi nga ana e tifozëve vendas dhe e klubit të Evertonit që ka tërhequr vëmendjen e gjithë botës. Portieri i Sunderland, Vito Mannone u shpreh se ndeshja shkoi përtej rezultatit. Ai falënderoi Evertonin për donacionin dhe e cilësoi 5-vjeçarin një luftëtar. Heroi i djaloshit të sëmurë është sulmuesi Jermain Defoe me të cilin pati mundësi të komunikonte dhe në një intervistë dhënë për mediat vendase ai falënderoi lojtarin anglez dhe klubin e zemrës për mbështetjen e madhe që po i japin në këto ditë të vështira. Në krahun tjetër, edhe klubi i Everton ka ndërmarrë një inisiativë për të mbështetur fushatën e dhurimeve duke theksuar se çdo tifoz i Evertonit i uron vogëlushit shërim sa më të shpejtë. Bradley vuan nga sëmundja e rëndë e neuroblastomas dhe trajtimi i tij përtej Atlantikut kushton 700 mijë pound.