Me vallen e Kukësit, Tropojës, Pogonishtes, Napolonit, etj., kështu u prit nisja e vitit të ri arsimor nga nxënësit e shkollës së mesme në ish-Kënetë. Nuk kishte as nuse dhe as dhëndër, por bokset shpërndanin në të gjithë zonën, muzikën tradicionale nga zona të ndryshme të vendit. Vajza e djem janë futur në valle për rreth 3 orë.
Është kjo atmosfera në ditën e parë të nisjes së procesit mësimor në shkollën e mesme “Dom Nikoll Kaçorri”, ku ka shpërthyer ahengu me këngë e valle të traditës, nga jugu në veri.
260 nxënësit dhe stafi pedagogjik, për të tretin vit rresht organizojnë me dixhej, festën e hapjes së vitit arsimor. Nëndrejtori i shkollës, Thoma Varfi, deklaroi se kjo shkollë e re në moshë prej tre vjetësh, ka si synim që ditën e parë t’i presë në këtë mënyrë nxënësit e saj.
“Nxënësve iu bashkohet edhe stafi i mësuesve”, thotë Varfi.
Në shkollën e mesme të përgjithshme “Dom Nikoll Kacorri” në ish-Kënetë, janë 9 klasa nga për të tria vitet, për çdo vit arsimor.
K.H.





