Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në Durrës, edhe në javën që lamë pas dhe kryesisht gjatë fundjavës, kanë vijuar zbatimin e planit të masave, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar këshillimit të drejtuesve të mjeteve dhe pasagjerëve për vendosjen e rripit të sigurimit. Sipas të dhënave të policisë, janë marrë 15 masa për drejtuesit e mjeteve që janë konstatuar pa rrip sigurimi.

Pjesa më e madhe e drejtuesve të mjeteve janë këshilluar, ndërsa për shkelje të rënda të Kodit Rrugor dhe Kodit Penal janë marrë masat si më poshtë:

• janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur;

• është arrestuar në flagrancë 1 shtetas duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi;

• janë pezulluar 16 leje drejtimi për tejkalim shpejtësie, 7 leje drejtimi për drejtim mjeti në gjendje te dehur dhe 3 leje drejtimi për shkelje të ndryshme.

• janë vendosur 1488 masa administrative, nga këto:

• 128 për tejkalim shpejtësie dhe parakalim të gabuar;

• 15 për mungesë të rripit të sigurimit;

• 21 për mungesë të kaskës mbrojtëse;

• 455 për parkime te gabuara dhe

• pjesa tjetër për shkelje të ndryshme të normave të Kodit Rrugor.

Në pamjet e mëposhtme, është momenti kur drejtuesi i një mjeti tip “BMW”, në lagjen nr. 1 pranë Torrës, po shoqërohet nga uniformat blu për në Komisariat për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor. 

Drejtoria Vendore e Policisë së Qarkut Durrës informon se do të vijojë kontrollet edhe në ditët në vazhdim dhe kërkon bashkëpunimin e të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe Kodin Penal, pasi nuk do të ketë asnjë tolerim dhe do të përgjigjet para ligjit çdo shkelës.