Ky vit shkollor e gjeti qytetin e Durrësit me një shkollë të re. Në ditën e parë të shkollës, kryebashkiaku Vangjush Dako ka përuruar shkollën e re 9-vjeçare në zonën e plazhit, “Abedin Dino”.

Në këtë shkollë të re me kushte moderne janë ulur në ditën e parë 640 nxënës që do të kryejnë mësim në kushte bashkëkohore. Shkolla është e pajisur edhe me laboratorë, salla polifunksionale, biblioteka etj.

Përurojmë këtë shkollë të re ditën e parë të fillimit të mësimeve dhe me këtë rast ju shpreh urimet më të mira të gjithë nxënësve e veçanërisht atyre që fillojnë klasën e parë. Bashkia e Durrësit e ka pasur dhe do ta ketë gjithmonë prioritet në punën e saj përmirësimin e cilësisë në të gjitha shkollat e Durrësit. Përfundimi i kësaj shkolle të re si dhe rikonstruksioni i kopshtit pranë saj plotësojnë nevojat e zonës së plazhit dhe ne do të vazhdojmë me investime në shkolla e kopshte edhe në zona të tjera të qytetit”, ka thënë Dako.

Shkolla e re “Abedin Dino” është ndërtuar nga Bashkia e Durrësit me fond nga FZHR me vlerë me tvsh rreth 96.5 milionë lekë të rinj. Po kështu, pranë kësaj shkolle janë përuruar edhe ambientet e reja të kopshtit të fëmijëve i cili është rikonstruktuar tërësisht po nga Bashkia e Durrësit. Ky kopsht është rikonstruktuar me një fond prej rreth 11.5 milionë lekë nga Bashkia e Durrësit dhe aty do të ketë 150 fëmijë që do të kenë kushte moderne.