Më shumë se 500 milionë Paund ose mbi 600 milionë Euro. Kjo është shuma mostruoze që Manchester United ka arkëtuar gjatë sezonit 2015 – 2016. Bëhet fjalë për të ardhura të siguruara nga shitja e biletave, nga të drejtat televizive dhe kontratat me sponsorët. Vetëm klubi i Barcelonës ka një shifër më të lartë të ardhurash.
Pavarësisht një sezoni zhgënjyes që u mbyll me trofeun e “FA Cup”, por jo me kualifikimin ne Champions League, Manchester United bëhet klubi i parë anglez që i kalon gjysmë miliard Paund arkëtime, ose më saktë 515.3 milionë. Familja Glazer, 140 milionë Paund i ka fituar vetëm nga të drejtat televizive, 106 milionë nga shitja e biletave, ndërsa 268 milionë nga sponsorët, me Adidas në krye.
Vetëm shifra e fundit do të mjaftonte për të kaluar të ardhurat e klubeve të tilla se Borussia e Dortmundit dhe Atletico e Madridit, por edhe Interit, Milanit dhe Romës. Edhe Juventusi, skuadra e momentit në Itali mbetet shumë larg Manchester United me 350 milionë Euro të ardhura gjatë sezonit të kaluar.
Kjo performancë solide për sa u përket të ardhurave sipas zëvendëspresidentit Ed Wooduards e ka lejuar Manchester United të bëjë investime të rëndësishme në skuadër, ku spikat blerja e Paul Pogbasë. Objektivi është që shifra e arkëtimeve për sezonin aktual të arrijë 540 milionë Paund, që do të thotë se nuk do të mungojnë goditje të tjera të mëdha të stilit Pogba.





