Me reformën në drejtësi, Kryeprokurori Adriatik Llalla del komplet jashtë loje. Ndaj tij ka pasur vazhdimisht akuza dhe kritika se fle mbi dosjet e korrupsionit dhe si duket ata që bënë reformën janë kujdesur që ai të mos ketë më asnjë rol të rëndësishëm, pasi emërimi i prokurorëve do jetë në dorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Sipas ligjit të ri, Kryeprokurori do ketë vetëm rol organizativ dhe do rrudhet nga çdo kompetencë aktuale. Sa i takon emërimeve, ato do jenë në dorë të ndërkombëtarëve. Zanafilla fillon që te Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Ky organ do të përbëhet nga 9 persona, ku për përzgjedhjen e tyre do të angazhohen ndërkombëtarët konkretisht SHBA-BE. Lista e kandidatëve përzgjidhet nga Presidenti, por pasi të ketë marrë opinionin e SHBA-së dhe BE-së. Më pas ky organ përzgjedh anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. KLP përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve jo prokurorë. Edhe në përzgjedhjen e tyre do kenë dorë ndërkombëtarët. Pasi të ngrihet ky organ do rrudhë Adriatik Llallën nga çdo lloj kompetence, pasi emërimin e prokurorëve, përfshirë dhe atë të Prokurorisë Antikorrupsion do e ketë në dorë KLP dhe jo Kryeprokurori. Me ligjin aktual Llalla mund të propozojë emërime shkarkime apo transferime, ndërsa me miratimin e ligjit për prokurorin ky privilegj do i hiqet. Po ashtu duart e tij do rrinë larg prokurorisë antikorrupsion.

Kompetencat që i hiqen Llallës

Me ligjin e ri të prokurorisë, Adriatik Llalla kthehet në një administrator të organit që drejton. Atij i hiqen një sërë kompetencash, duke filluar që nga ajo e emërimit të prokurorëve apo shkarkimit. Një tjetër kompetencë që i hiqet është komandimi i prokurorëve në prokurori ku ka vende vakante. Po ashtu i hiqet e drejta për të kryer inspektime, për të nisur procedurat disiplinore dhe marrjen e masave ndaj prokurorëve. Tjetër kompetencë që i hiqet, është e drejta që kishte për të thërritur Këshillin e Prokurorisë apo të përcaktonte planin e inspektimeve disiplinore.

Kompetencat e reja

Me ligjin e ri, Adriatik Llalla do ketë vetëm rol organizativ, pasi do jetë titullar si gjithë drejtuesit e tjerë të institucioneve, që drejton punonjësit që ka aty. Sipas ligjit të ri, ai nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim për prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore, me përjashtim të atyre të Prokurorisë së Posaçme. Një tjetër kompetencë është se përcakton strukturën e përgjithshme dhe rregulloren standard të organizimit dhe funksionimit të prokurorive pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, dhe miraton organikën dhe rregulloren e brendshme të funksionimit të Prokurorisë së Përgjithshme. Të tjera kompetenca janë: Përfaqëson prokurorinë në marrëdhëniet me të tretët dhe ndihmën e ndërsjellë në çështje penale të juridiksionit të përgjithshëm; kujdeset për ushtrimin e kompetencave ligjore dhe kushtetuese të prokurorisë; drejton, bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e policisë gjyqësore; kërkon fillimin e hetimeve për shkelje disiplinore dhe ankesa ndaj oficerëve të policisë gjyqësore dhe i dërgon Ministrisë së Drejtësisë të dhënat statistikore të ndjekjes penale, për hartimin e statistikës së njësuar në fushën e drejtësisë. /SOT