Rreth 200 punonjës të punësuar nga kompania TAP në Kantierin e depozitimit të makinerive e tubacioneve në Shënvlash të Durrësit, kanë pezulluar punën gjatë ditës së sotme. Punëtorët kanë protestuar duke deklaruar se nuk është respektuar kontrata e punës nga ana e punëdhënësit.

“Kemi hyrë 6 muaj më parë me kontrata 3-mujore, me paga minimale 30 mijë lekë të vjetër në muaj. Na thanë që pas tre muajsh pagat do të rriten dhe do të nënshkruajnë kontratë e re. Por paga jo që nuk është rritur, por është ulur për muajin gusht. Kontratat e reja nuk na janë dhënë, nuk na njohin asnjë shpërblim, as orët e punës shtesë, apo puna që bëjmë deri në 12 të natës turni i dytë apo i tretë. Përgjegjësit vetëm na mashtrojnë na gënjejnë e nuk na japin asnjë zgjidhje. Sot na kanë bërë presion të madh të mos e bënim publik në media shqetësimin. Ata vetë marrin rroga nga 5 mijë Euro e lart, ndërsa punëtorët me paga 200 Euro, dhe në punë nga më të rëndat”, deklarojnë punëtorët.

Menjëherë pas protestës së bërë jashtë dyerve të kantierit punonjësit janë kërcënuar me largim nga puna, nëse do t’i bëjnë publike sërish shqetësimet e tyre. Deri tani nuk ka asnjë një reagim nga ana e drejtuesve të kantierit, askush nuk iu është përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga punëtorët.