Dy operacione të njëpasnjëshme janë finalizuar nga Policia në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, duke çuar në arrestimin e dy personave të dyshuar për kontrabandë mallrash. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar automjetet e përdorura për transport, si dhe një sasi e konsiderueshme produktesh të ndryshme.

Operacioni i parë, i koduar “Akciza 1”, u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Pikës Doganore Kakavijë.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë M. P., 48 vjeç, banues në Fier.

Ndërkohë, në operacionin e dytë, të koduar “Akciza 2”, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër, së bashku me shërbimet e PKK Kakavijë, arrestuan A. P., 57 vjeç, banues në fshatin Bradashesh, Elbasan.

Gjatë kontrolleve të automjeteve me të cilat lëviznin dy personat, Policia gjeti dhe sekuestroi dhjetëra steka me cigare dhe puro, sasi duhani, medikamente, dhjetëra kilogramë kafe, pije alkoolike, materiale ndërtimi, produkte për mirëmbajtjen e automjeteve dhe paketime me produkte ushqimore.

Sipas Policisë, mallrat që i nënshtrohen akcizës, si dhe produktet e tjera, dyshohet se ishin sjellë nga Greqia pa dokumentacionin tatimor përkatës, duke ngritur dyshime për kontrabandim.

Automjetet e përdorura për transportin e mallrave, së bashku me produktet e sekuestruara, do t’i nënshtrohen procedurave të mëtejshme hetimore.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.