Ashtu siç ishte paralajmëruar, dhjetëra maturantë e studentë, të mbështetur dhe nga “Lëvizja e Studentëve për Universitetin”, janë mbledhur sot para kryeministrisë në protestë për të drejtën e shkollimit.

“Shkollë, punë dhe liri” ka qenë thirrja e tyre drejtuar godinës së Kryeministrisë me shpresë se zëri i tyre do dëgjohet nga shefi i qeverisë.

“Urime e dashur, do mbahesh mend për dy gjëra, e para për një citim që ndiheshe krenare për vajzën që studionte në Francë dhe e dyta që dështove me sukses”, iu drejtua një studente ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.

“Kjo protestë tregon se ne të rinjtë e Shqipërisë kemi zë dhe do të vazhdojmë kështu deri sa të fitojmë të drejtat tona”, tha një tjetër student.

Ata kundërshtojnë formulën e pranimit në universitete dhe reformën në arsim, pasi sipas tyre, ka shkaktuar përjashtimin e shumë maturantëve, megjithëse me mesatare të lartë. Sipas maturantëve dhe studentëve, ky sistem i ri në arsim favorizon universitetet private. Ata kërkojnë një reflektim nga Ministria e Arsimit, në të kundërt thanë ata, do të përshkallëzojnë protestat.

Një ditë më parë, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla në përgjigje të ankesave të maturantëve pas daljes së listave paraprake të fituesve në Universitete, tha se kjo është vetëm faza e parë dhe siguroi se asnjë maturant që plotëson kriteret e studimit nuk do të përjashtohet nga sistemi.