Policia e Dibrës ka arrestuar 5 persona për trafikim të lëndëve narkotike, teksa u kapën me 10.3 kg kanabis, në kuadër të operacionit të koduar “Vjeshtë 2016”.

Kapja e trafikantëve u bë pasditen e së martës në Shupenzë të Bulqizës, pas informacioneve të marra në rrugë operative.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

1-Bledar Gjoka, 43 vjeç, banues në Laç, drejtues i mjetit me targa AA 959 IO, Golf -5, në pronësi të shtetasit Ervis Karaj, i arrestuar gjatë operacionit.

2-Xhevahir Rexhepi, 48 vjeç, lindur dhe banues në Laç, person i cili udhëtonte me mjetin me targa AA 959 IO.

3-Shefki Totraku, 40 vjeç, lindur në Selishtë, Dibër dhe banues në Tiranë, i cili drejtonte automjetin me targa AA 486 MN, markës Peugot.

4-Ridvan Likaj, 29 vjeç, lindur dhe banues në Laç, i cili drejtonte automjetin me targa AA 450 EM.

5-Ervis Karaj, 27 vjeç, lindur dhe banues në Krujë, person i cili udhëtonte me automjetin me targa AA 450 EM.

Shtetasit Bledar Gjoka e Xhevahir Rexhepi kishin lënë takim me Shefki Totrakun dhe porsa janë takuar në hyrje të Shupenzës, në një lokal, janë arrestuar në flagrancë, pasi nga kontrolli i ushtruar në automjetet e tyre rezultoi se në bagazhin e automjetit me targa AA 959 IO, që drejtohej nga Bledar Gjoka, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale  dy thasë plastmasi të mbushur me lëndë narkotike në formën e boçes, me peshë 10.3 kilogramë kanabis sativa”, thuhet në njoftimin e policisë lokale.

Më tej është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë edhe i dy shtetasve të tjerë, të cilët ishin ulur po në të njëjtin lokal por në tavolinë më vete, ku njëri prej tyre rezultoi pronari i automjetit ku u gjet lënda narkotike.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe 5 aparate celularë dhe 3 automjete.