Partia Demokratike ka depozituar sot një kallëzim penal ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, për një numër të madh shkeljesh ligjore, që sipas PD-së, sollën si rezultat humbjen e jetës së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, në landfillin e Sharrës, një muaj më parë.

“Zanafilla e paligjshmërisë nis me krijimin e shoqërisë Eco Tirana, me dhënien e 49 për qind të kapitaleve një firme italiane, pa garë, pa konkurs pa transparencë, dhe më pas me kushtet e rënda të paligjshmërisë në punën që bëhej në landfillin e Sharrës, ku për të gjitha është përgjegjës, drejtuesi i Bashkisë, Erjon Veliaj.

Pas hulumtimit, ekspertët e PD-së kanë zbuluar të gjitha shkeljet e Veliajt, dhe ai kallëzohet për;

1- “Shpërdorim detyre” neni 248 KP

2- “Shpërdorimi i kompetencave” neni 164 KP

3- “Punësimi i paligjshëm” neni 170/a KP

4- “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme” neni 251 KP

5- “Shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti” neni 256 KP

6- “Përfitimi i paligjshëm i interesave” neni 257

7- “Shkelja e Barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankandeve” neni 258”, janë akuzat që ka ngritur PD-ja.