Zbardhet lista e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk kanë folur asnjëherë gjatë sesionit të shkuar parlamentar janar-korrik 2016.

Sipas një raporti të Institutit të Studimeve Politike, lista kryesohet nga Partia Socialiste, ku 18 deputetë të saj kanë vegjetuar dhe nuk kanë hapur gojë fare në Kuvend, të pasuar nga LSI-a e PD-ja.  

Thjesht këta deputetë janë paraqitur në seanca për të shënuar pjesëmarrjen dhe kanë ngritur kartonët sipas vendimit të partisë.

 “Referuar të dhënave zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë rreth 35 deputetë (1 prej tyre me mandat edhe ministror) nuk folën në asnjë nga 27 seancat parlamentare të periudhës janar – korrik 2016”, thuhet në raport.

Nga PS nuk folën asnjëherë 18 deputetë, LSI-a e PD-ja kanë nga 7 deputetë që nuk kanë bërë asnjë diskutim në parlament, PAA 1 dhe PDIU 1.

Studimi tregon se nga deputetët që nuk folën në asnjë seancë, bien në sy dy kategori: një grup politikanësh me karrierë të gjatë parlamentare dhe politike majtas e djathtas, si dhe një grup biznesmenësh lokalë, prurje të reja në zgjedhjet 2013 nga listat shumëemërore të partive.

Në kategorinë e parë evidentohen emra si Bashkim Fino apo Namik Dokle (PS), Arben Imami apo Gert Bogdani (PD), Monika Kryemadhi apo Vangjel Tavo (LSI). Në pjesën tjetër të listës bien në sy emra të njohur për publikun, si biznesmenët Sadri Abazi, Vladimir Kosta, Tom Doshi, Parid Cara e Fidel Ylli (PS), Shkëlqim Selami, Agron Çela apo Ylli Shehu (LSI), Dashamir Tahiri, Keltis Kruja apo Gjovalin Bzheta (PD), Ylli Rakipi (PDIU) apo Agron Duka (PAA)”.

Studimi nxjerr në pah faktin se “rreth 50% e këtyre deputetëve e kanë siguruar mandatin parlamentar në formë preferenciale për shkak të njohjes, raporteve apo besimit personal të liderit politik në partitë e tyre. Kjo do të thotë, se kjo pjesë e listës, rreth 15-17 deputetë, presin të konfirmohen në listat proporcionale të partive respektove edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kryesisht për shkak të raporteve personale me liderin ose për shkak të kontributeve financiare në fushatat elektorale. Shumica e tyre kanë mandate të dyta parlamentare, pra kanë përvojën dhe fakti që nuk i kushtojnë rëndësi fjalimeve, do të thotë se njohin rrugët efektive të karrierës, pavarësisht kontributit dhe përgjegjësive publike”.

Ja deputetët që nuk folën asnjëherë në Kuvend në periudhën janar-korrik 2016:

Nga PS

Bashkim Fino

Sadri Abazi

Namik Dokle

Anduel Xhindi

Armando Prenga

Dashamir Kamberi

Edmond Leka

Enkelejda Shkreli

Fidel Ylli

Ilir Xhakolli

Luljeta Arapi

Paulin Stërkaj

Parid Cara

Shkëlqim Troplini

Tom Doshi

Vexhi Muçmata

Vladimir Kosta

Dashamir Peza

Nga LSI

Agron Çela

Bujar Derveni

Gledion Rehovica

Monika Kryemadhi

Shkëlqim Selami

Vangjel Tavo

Ylli Shehu

Nga PD

Arben Imami

Astrit Veliaj

Dashamir Tahiri

Gerti Bogdani

Gjovalin Bzhetaj

Keltis Kruja

Mhill Fufi

Nga PDIU

Aqif Rakipi

Nga PAA

Agron Duka