Një i ri nga Shijaku ka kanosur me fjalë fqinjën e tij 60-vjeçare, dhe më pas ka marrë automatikun në shtëpi dhe ka dalë në rrugë duke qëlluar me breshëri në ajër.

Autori i kësaj ngjarjeje është shtetasi Blerim Tuda, 29 vjeç, banues në Shetel të Shijakut, person me precedentë penalë të mëparshëm.

Sipas burimeve zyrtare nga policia, kjo ngjarje ka ndodhur dy ditë më parë, ditën e diel, në të njëjtin fshat të Shijakut, ku gjithçka ka ardhur pas një konflikti për motive të dobëta mes autorit dhe 60-vjeçares me iniciale D.D.

Ai e ka kanosur fillimisht me fjalë, dhe në vijim ka shkuar në banesë, ka marrë një automatik dhe ka dalë në rrugë ku ka qëlluar disa herë në ajër.

Me të marrë njoftimin, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivët e Policisë, të cilët kanë këqyrur vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit.

Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar 13 gëzhoja dhe një fishek automatiku model 56 kalibër 7.62 mm.

Autori u ndalua, ndërkohë që po punohet për gjetjen e armës së zjarrit.