Një 28- vjeçar është vënë në pranga nga policia  e Krujës nën akuzën e kultivimit të bimëve narkotike, po ashtu për të njëjtën akuzë janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë.

Policia ka sqaruar publik se në bazë të procedimit penal nr. 204 në bashkëpunim me Prokurorinë e Krujës, të nisur në 12 korrik 2016 me metoda speciale hetimi, ka arrestuar sot shtetasin Edmond Cangu, 28 vjeç dhe ka shpallur në kërkim shtetasit K.Ç. 32 vjeç dhe Gj.T. 49 vjeç, për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim", parashikuar nga neni 284  i Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi, duke filluar nga datat 4 shtator 2015, janë asgjësuar edhe 2 parcela me 5.400 bimë narkotike të kultivuara në fshatin Larushk, Krujë.

Ndryshe nga sa deklaroi subjekti politik PD, këto parcela nuk janë në mbrojtje të Policisë së Shtetit, por procedimet kanë nisur disa javë më herët dhe synojnë jo vetëm asgjësimin, por edhe dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të aktivitetit anti-ligjor.

Policia ka bërë me dije për publikun se deklaratat e PD i referoheshin pikërisht këtij procedimi penal për kultivim të lëndëve narkotike. 

Policia fton subjektin politik PD të mos bëjë akuza të pabaza, e mbi të gjitha të interesohet zyrtarisht pranë Policisë dhe Prokurorisë përpara se të bëjë deklarata publike. 

Në të kundërt, PD vë në rrezik procedimet penale të nisura nga Policia, duke i dhënë ndihmë shkelësve të ligjit.